Aksionerët e Tesla-s kanë mbështetur një paketë pagash rekord për shefin Elon Musk dhe kanë miratuar një plan për të zhvendosur selinë ligjore të firmës në Texas.
Marrëveshja u bllokua në fillim të këtij viti nga një gjykatës në Delaware për shqetësimet se ishte e padrejtë ndaj aksionerëve.
Vota ndërkohë është një fitore për multi-miliarderin, i cili kishte bërë fushatë të ashpër për pagesën, e cila arrin në 56 miliardë dollarë.
Shuma e saktë sakaq varet nga çmimi i aksionit të Tesla-s.
Marrëveshja vlerësohet të jetë 300 herë më e madhe se sa kreu me fitimet më të mëdha në SHBA vitin e kaluar.
Megjithatë, votimi nuk është detyrues dhe ekspertët ligjorë kanë thënë se nuk është e qartë nëse gjykata që bllokoi marrëveshjen do të pranojë rivotimin dhe do të lejojë kompaninë të rivendosë paketën e pagave.
“Vota nuk ndryshon asgjë”, ka thënë Mathieu Shapiro, një partner menaxhues në firmën ligjore Obermayer Rebmann Maxwell & Hippel.
“I ofron Tesla-s vetëm mundësi që të përpiqet të përdorë votën për të marrë një vendim më të mirë në të ardhmen”.
“Do të jetë interesante të shihet nëse një gjykatë tjetër është e gatshme të vlerësojë një votë të marrë pas vendimit të gjykatës”.
Shuma mahnitëse kishte ngjallur kritika dhe kishte ngritur shqetësime se bordi i Tesla-s ishte shumë i nënshtruar dhe i afërt me Musk.
Në vendimin e gjykatës së janarit, gjyqtarja e Delaware, Kathaleen McCormick vendosi se shuma ishte “e padrejtë” dhe procesi për përcaktimin e paketës, nga një bord i dominuar nga Musk, ishte “thellësisht i mangët”.
Musk njoftoi se donte të zhvendoste selinë ligjore të firmës në Texas pasi gjykata në Delaware, ku është aktualisht e regjistruar, anuloi paketën e tij të pagave, duke u mbështetur në një investitor të vogël që kishte paditur për marrëveshjen.
Lufta mbi planin kishte shfaqur shqetësime për udhëheqjen e Musk, në një kohë kur çmimi i aksioneve të Tesla-s ka rënë nga lartësia e tij dhe pozicioni i saj në industrinë e makinave elektrike është nën presion.
Por Musk mblodhi bazën e fansave të tij në mbështetje të marrëveshjes, duke u bërë thirrje veçanërisht investitorëve individualë, të cilët përbëjnë një pjesë jashtëzakonisht të madhe të bazës së aksionerëve të firmës.
Musk i njoftoi rezultatet në një postim në kompaninë e tij të mediave sociale, X, e njohur më parë si Twitter.
Aksionet e kompanisë u mbyllën me gati 3% pas njoftimit të Musk.
Plani i kompensimit i jep Musk të drejta për rreth 300 milionë aksione – ekuivalente me 10% të aksioneve në firmë – si një shpërblim për përmbushjen e një numri objektivash të përcaktuara në vitin 2018 nga Tesla, të cilat lidhen me shitjet, fitimet dhe çmimin e aksionit.
Tesla kishte thënë se qëllimet e Musk ishin sfiduese. Megjithatë, padia origjinale që çoi në bllokimin e marrëveshjes së pagave nga gjykata e Delaware pretendonte se objektivat ishin të njëjta me parashikimet e brendshme të rritjes që po ndaheshin me bankat.
Bordi i Tesla-s ka thënë se Musk e meritonte paketën sepse prodhuesi i makinave kishte arritur objektivat e tij nën udhëheqjen e tij dhe se ishte e nevojshme të sigurohej që ai të mbetet i përkushtuar ndaj kompanisë.
Drejtuesit e Tesla-s shprehën mbështetjen për paketën në postimet e mediave sociale, duke thënë se Musk ishte vendimtar për suksesin e kompanisë.
Ndërkohë, Musk premtoi një turne personal në fabrikën e Tesla-s në Texas për disa aksionerë që hodhën vota.
Aksionarët miratuan gjithashtu rizgjedhjen e dy anëtarëve të bordit në mbledhjen e së enjtes: James Murdoch, djali i manjatit të medias Rupert Murdoch dhe vëllai i Musk, Kimbal Musk.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Rexhep Rexhepi, Mbreti i ri i pavarur i orëve të papërsosura
-
Transformimi radikal i Tiranës: Si kryeqyteti shqiptar po përcakton traditën dhe rishkruan të ardhmen
-
Regjimi i Putinit do të shembet pa paralajmërim, thotë disidenti i liruar
-
Kurti: Kosova, fener i demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor