Gjykata Speciale

Intervistat pa leje, Specialja – Haradinajt: Çdo shkelje tjetër do të rezultojë me kthim në burg


Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, e ka paralajmëruar ish-nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinajn, që t’iu përmbahet kushteve të përcaktuara mbi vendimin e dënimit, duke thënë se Haradinaj ka zhvilluar intervista në media “pa kërkuar paraprakisht leje”.

“Ky paralajmërim vjen pas marrjes së raporteve të shumta nga administratorja e DHSK-së, me të cilat kryetarja u informua për kontaktet dhe intervistat e Haradinajt me mediat gjatë disa muajve të fundit, pa kërkuar paraprakisht leje për to, sikurse përcaktohet në vendim. Gjithashtu, kryetarja vuri në dukje se Haradinaj u rikujtua në fillim të këtij viti për pasojat e shkeljes së kushteve të vendimit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, kryegjyqtarja e Speciales  shpjegoi se megjithëse vendimi mund të revokohet ose modifikohet menjëherë mbi bazën e shkeljeve, ajo vendosi që Haradinajt t’i jepte edhe një paralajmërim të fundit, dhe e bëri të qartë se çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Më 14 dhjetor të vitit të kaluar, Haradinaj ishte liruar nga burgu, derisa lirimi i tij është bërë me vendim të presidentes së Dhomave të Specializuara, Katarina Trendafilova.

Sipas Speciales, Haradinaj kishte “reflektuar” për veprimet e tij gjatë kohës sa ndodhej në paraburgim.

Ndryshe, Haradinaj ishte dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim pasi ishte shpallur fajtor për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore