Shqipëria

InnFest rikthehet


3 ditë përkushtuar novacionit dhe mënyrës si do të jemi të lidhur në të ardhmen

Pas një shkëputje të shkurtër erdhi sërish nevoja për një edicion të ri të InnFest, festivali i parë në Shqipëri dedikuar novacionit.

Vitet e fundit, teknologjia ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe nevoja për risi ka zëvëndësuar nevojën për të eksploruar. Duke qenë se nuk ekziston më cep i planetit tonë pa u rizbuluar, pionerët kanë zgjedhur të krijojnë çdo gjë që mungon.

Ky është një projekt i filluar nga Tok DGTL dhe këtë vit si partner zbatues janë AECA dhe Destil Creative Hub.

Në një mori gjetjesh dhe krijimesh, bëhet gjithnjë më e vështirë të zgjedhësh atë që i përshtatet më së miri nevojave specifike të gjithësecilit. Ndaj InnFest rikthehet si një motor kërkimi që të sugjeron shembujt më të mirë nga kompanitë dhe startup-et të suskesshme në rajon. Gjithashtu, kjo krijon një atmosferë ideale për t’u lidhur me partnerë të rinj të cilët ndajnë vizone të përbashkëta.

Tema e këtij viti është “Si do të lidhemi në të ardhmen? / How will we connect in the future?”

Për t’i kthyer përgjigje kësaj pyetje, do të zhvillohen 3 ditë të mbushura me panele, diskutime, prezantime dhe workshop-e, në datat 8-9-10 Shtator 2023. Shtëpia këtë herë është Kompleksi Olimpik, një hapësirë e re në kryeqytet e cila ofron 3 ambiente të ndryshme, ideale për të zbatuar qëllimin e InnFest.

Në fushën e ndeshjeve do të gjeni Innovation Arena, kuruar nga AECA, hapësira që do t’i përkushtohet kompanive të mëdha të cilat operojnë në Shqipëri dhe rajon, me 4 tipologji hapësirash të ndryshme me synim që brand-et të shfaqin potencialin e tyre dhe të gjitha risitë e suksesshme që po zbatojnë në treg.

Në hyrjen e ndërtesës do të shtrihet Startup Hall, kuruar nga Destil Creative Hub dhe Ministra për Mbrojtjen e Sipermarrjes, hapësira e dedikuar vetëm për novatorët e rinj, të cilët kanë identifikuar sfidat e tregut dhe po ofrojnë shërbimet e tyre për t’i tejkaluar këto sfida. Këtu do të gjeni 20 kapsula të kuruara për të dhënë maksimumin e identitetit për çdo Startup që do të zhvillohet dhe do të krijojë kontakte të reja që do t’i nevojiten për të ardhmen.

Arsyeja pse InnFest quhet një festival dhe jo një konferencë novacioni është pikërisht falë hapësirës të tretë dhe të fundit. Në hapësirën e jashtme do të gjeni Inn Wonderland, kuruar me shumë dashuri nga Barefoot Festival. Në parkun e Kompleksit Olimpik do të ketë muzikë me një program shumë divers dhe hapësirë për produkte konsumi. Sigurisht që edhe aty novacioni do të jetë kryefjala, por i drejtuar më shumë te qendrueshmëria dhe kreativiteti.

Përgjatë të treja ditëve do të ketë Workshop-e dhe diskutime mbi të gjitha nevojat dhe sfidat që i parashtrohen novatorëve dhe profesionistëve në të tashmen, dhe sidomos në të ardhmen. Qëllimi kryesor është krijimi i urave të reja për bashkëpunim, ndaj të gjithë janë të mirëpritur!

Kjo është një mundësi shumë e mirë për për të zbuluar risitë që janë duke shtyrë tregun shqiptar drejt niveleve globale, ndaj inkurajojmë kompanitë, startup-et dhe individët me vlera të njejta të shprehin interes. Vendet janë të limituara.

Për të zbuluar më shumë, ndiqni @innovation.nest në të gjitha rrjetet sociale ku gjatë javëve në vijim do të lajmërohen të gjitha detajet e InnFest.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore