Shqipëria

Inflacioni bazë mbetet pranë niveleve më të ulëta të tre viteve të fundit


Në muajin korrik, inflacioni bazë ka shënuar rritje të lehtë.

Por sërish ngelet pranë niveleve më të ulëta të tre viteve të fundit.

Referuar informacionit të Bankës së Shqipërisë, në muajin korrik, inflacioni bazë u rrit lehtë në 2.29%, nga 2.21% që kishte qenë në muajin qershor.

Mirëpo, me bazë vjetore inflacioni bazë është në rënie, nga niveli prej 4.65% i një viti më parë.

Në muajt e fundit, edhe inflacioni bazë është stacionuar afër nivelit të inflacionit total në ekonomi, që në muajin korrik ishte 2.1%.

Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Inflacioni bazë përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.

Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

Inflacioni bazë tenton të vlerësojë presionet e brendshme inflacioniste mbi inflacionit, që në vitet e fundit kanë ndikuar shumë prej rritjes së kostos së punës të bizneseve.

Ulja e inflacionit bazë deri pranë nivelit të 2% krijon besimin se ulja e inflacionit tashmë po merr një trajtë më të qëndrueshme.

Besohet se ulja e inflacionit bazë luajti një rol të rëndësishëm në vendimin e Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit, në muajin korrik.

Inflacioni bazë – në tremujorin e dytë 2024 – ishte mesatarisht 2.3%, niveli më i ulët që prej tremujorit të tretë 2023.

Sipas “Monitor”, Shqipëria arriti ta ulë inflacionin poshtë objektivit prej 3% pa një shtrëngim të madh monetar.

Norma bazë e interesit nuk arriti më shumë se 3.25%, ndërsa në korrik të këtij viti banka qendrore e uli përsëri në 3%.

Rol të rëndësishëm luajti forcimi i ndjeshëm i lekut në kursin e këmbimit valutor.

Që nga nisja e valës inflacioniste, leku është forcuar me më shumë se 20% në kursin e këmbimit me euron.

Sipas “Monitory mbiçmimi i lekut i ka përthithur një pjesë të presioneve të jashtme inflacioniste mbi ekonominë shqiptare.

Ulja e inflacionit dhe rënia e pritshmërive për një rritje të normave të interesit duket se i ka dhënë një shtysë të mëtejshme kreditimit gjatë pjesës së parë të këtij viti.

Për gjashtë muajt e parë të vitit, kredia e disbursuar nga sektori bankar arriti vlerën e 181.8 miliard lekëve dhe është rritur pothuajse me 30% me bazë vjetore.

Kontributin kryesor në rritje vazhdon ta japë kredia në lekë, që për gjashtëmujorin e parë të vitit pothuajse është rritur me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pesha e kredisë së re në lekë ndaj totalit ka arritur në 59%, nga 50% që kishte qenë një vit më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore