Pajisje

India akuzon Xiaomi-n për shkelje të ligjeve të vendit


India ka akuzuar kompaninë Xiaomi për shkelje të ligjeve të vendit të këmbimit valutor.

Sakaq, ka sekuestruar 726 milionë dollarë nga një njësi lokale e prodhuesit të telefonave inteligjentë, në përplasjen e fundit të Indisë me një kompani kineze për aktivitetet në treg.

Mësohet se agjencia kundër pastrimit të parave mori kontrollin e llogarive bankare të Xiaomi Technology India sipas dispozitave të Aktit të Menaxhimit të Këmbimit të Valutave.

Njësia vendore e kompanisë u dërgoi para tre subjekteve me bazë të huaja me lidhje me Xiaomi-n, duke pretenduar në mënyrë të rreme se ishin për pagesa të honorarëve.

“Xiaomi India blen komplete celulare të prodhuara plotësisht dhe produkte të tjera nga prodhuesit në Indi”, ka deklaruar agjencia.

“Kompania gjithashtu u dha bankave informacione mashtruese gjatë dërgimit të parave jashtë vendit”, ka vijuar.

India ka mbajtur një linjë të ashpër kundër kompanive kineze, të cilat operojnë brenda vendit që kur trupat nga të dy vendet u përplasën në vitin 2020.

Vendi futi në listën e zezë mbi 200 aplikacione celulare nga ofruesit kinezë, duke përfshirë shërbimet e blerjeve nga Alibaba Group Holding, TikTok nga ByteDance dhe aplikacionet e përdorura në telefonat e Xiaomi.

Vetëm muajin e kaluar, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, vizitoi homologun Subrahmanyam Jaishankar, për herë të parë që nga shpërthimi i tensioneve kufitare në një përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet.

“Do ta përshkruaj situatën tonë aktuale si një punë në progres”, ka thënë Jaishankar në atë kohë, përcjell Albanian Post.

Nga ana tjetër, Xiaomi e ka kundërshtuar sekuestrimin e aseteve të Indisë, duke argumentuar se pagesat e honorareve janë të justifikuara dhe deklaratat për institucionet financiare kanë qenë të sakta.

Xiaomi ka qenë një nga markat më të suksesshme të telefonave inteligjentë në tregun me rritje të shpejtë, duke u bërë më i madhi për nga vëllimet e dërgesave në vend.

Marrë nga “Al Jazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore