Kosova

Mashtruan qytetarët për kontrata të punës në Irak, Afganistan dhe Poloni, Prokuroria ngre aktakuzë


Prokuroria Themelore në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për “mashtrim” dhe ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikate për media, ku njoftohet se të dyshuarit kanë premtuar se do të sigurojnë kontrata të punës në Irak, Afganistan dhe në Poloni.

“Gjatë periudhës kohore 2020-2022, i pandehuri N.L., në vazhdim me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror përvete me anë të paraqitjes së rreme të fakteve i detyron të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, i pandehuri për sigurimin e këtyre kontratave të punës u kërkonte viktimave të holla në vlerë prej 3 mijë deri në 6 mijë euro, ku dëmi total arrin shumën rreth 80 mijë euro.

Njësoj dyshohet se ka vepruar edhe i pandehuri K.H.

“Për sigurimin e këtyre kontratave të punës, u kërkojnë shuma të të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro, ashtu që të dëmtuarit u dorëzojnë qoftë me para të gatshme apo përmes transfereve bankare, të cilat të holla pastaj i ndajnë së bashku dhe pavarësisht që të dëmtuarit presin me muaj të tërë, kontratat e punës nuk arrijnë t’i sigurojnë asnjëherë si dhe të hollat nuk ua kthejnë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, e pandehura K.L, potencohet se me dashje ka ndihmuar të pandehurin N.L, bashkëshortin e saj, për kryerjen e veprës penale “mashtrimi”.

“Deri sa ky i fundit nuk gjendej në Kosovë, e njëjta takohej me disa nga të dëmtuarit dhe nga të njëjtit pranon shuma të të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro, e pastaj këto shuma të të hollave ose i deponon në llogarinë bankare të të pandehurit N.L., ose ia transferon përmes “Western Union”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore