Kosova

Hoti për vendimin e BE-së: Goditje për Kosovën


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pas vendimit të Bashkimit Evropian që liberalizoi vizat për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë që mbajnë pasaporta të lëshuara ilegalisht në Serbi, ka thënë se udhëheqja në Kosovë duhet të jap shumë sqarime.

Sipas Hotit, kjo është “goditje” për Kosovën.

“Vendimi i BE-së për liberalizim të vizave për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë që mbajnë pasaporta të lëshuara ilegalisht nga Serbia nuk kontribuon në integrimin e këtij komuniteti në jetën institucionale, shoqërore dhe ekonomike në shtetin ku jetojnë, që është ndër qëllimet e dialogut”.

“Lidershipi i Kosovës ka shumë sqarime për të dhënë. Kjo është goditje për Kosovën”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’. 

Ai tutje ka kërkuar që të jepet përgjigje në dy pyetje nga BE-ja.

“Përse BE-ja nuk i ka përfshirë këta qytetarë kur i ka liberalizuar vizat për Serbinë në dhjetor 2009 dhe për Kosovën në janar 2024?”.

“Çfarë e shtyu BE-në të marrë këtë vendim, kur duhet se Kosova e ka statusin e vendit kandidat potencial për anëtarësim në BE?”, ka shkruar Hoti.

Vendimi i Këshillit Evropian për t’i njohur pasaportat ilegale serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd dhe për t’ua mundësuar serbëve të Kosovës të lëvizin pa viza në Zonën Schengen me to, mund të jetë edhe shtysë që serbët e Kosovës të mos e njohin shtetin e as të mos identifikohen me të, kanë thënë për Albanian Post njohës të aktualitetit politik.

Qeveria e Kosovës, në një reagim për media të hënën ka thënë se vendimi është një nguti e pashpjegueshme e BE-së.

“E pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet që munden dhe do të përcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, thuhet në reagimin e tyre.

Reagimi vazhdon me fraza të pakuptimta ku thuhet se “cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale”, sikur qenka Qeveria e Kosovës që përcakton për BE-në se cilin dokument e konsideron ilegal e cilin jo.

Komunikata vazhdon duke e pranuar se vendimi është “në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës”, por pa treguar cilët janë hapat konkret të protestimit të këtij vendimi.

Vendimi i BE-së për pasaportat e serbëve “e bën Kosovën shtet me dykuptimësi dhe i legalizon strukturat paralele”, Qeveria Kurti dështoi t’i bindë evropianët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore