Kosova

Hoti: Pasiguria politike dhe ekonomike po i largon investitorët e huaj dhe vendorë


Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka renditur dy shkaqe se pse investitorët e huaj dhe ata vendorë po largohen dhe po hezitojnë që të investojnë në Kosovë.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, Hoti tha se “pasiguria politike” dhe ajo “ekonomike”, janë dy shkaqet kryesor që po ndodh një gjë e tillë.

“Paqartësia në dialogun me Serbinë, si dhe Marrëveshja e Ohrit që e betonoi status quo-në në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, po ndikojnë në rënien e investimeve të jashtme në Kosovë”, argumentoi ai paqartësinë politike.

Ndërkaq, ai shtoi se “asnjë investim i jashtëm i rëndësishëm nuk është parë në dy vitet e fundit dhe as nuk duket në perspektivë”.

“Një investitorë i huaj që ishte në procedura për të marrë statusin e investitorit strategjik u refuzua nga Qeveria, edhe pse vendimi i Qeverisë ishte dërguar për miratim në Kuvend. Jo vetëm investime të jashtme, por as investime vendore nuk mund të ketë me gjithë këtë paqartësi politike”, beson ai.

Duke shpjeguar paqartësinë ekonomike, ish-kryeministri i Kosovës potencoi se “bizneseve nuk po ju ofrohet siguri as në politikat e brendshme ekonomike”, dhe vazhdoi të thotë se “pa asnjë analizë paraprake dhe pa konsultim me komunitetin e bizneseve, Qeveria mori këto vendime”, të cilat Hoti i renditi një pas një.

Fillimisht tha se Qeveria “i ndryshoi normat tatimore të tatimit në pronë, të cilat u bën progresive dhe e rritën deri në trefish ngarkesën e tatimit në pronë për biznese”.

“Vendosi tua marrë komunave menaxhimin e zonave ekonomike dhe të vendos ato zona nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të një Agjencie të re Qeveritare”, elaburoi tutje.

Ndërsa, si shkak të fundit Hoti potencoi se qeveria “vendosi të shfuqizojë ligjin për investime të huaja dhe ligjin për investime strategjike”.

“Të dyja këto ligje i shkriu në kuadër të ligjit të investimeve të qëndrueshme, i cili do ta dëmtoj shumë perceptimin pozitiv që ka Kosova sa i përket mbrojtjes së investimeve të jashtme”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore