Lajme

Hondurasi shpall emergjencë kombëtare për shkak të bandave


Presidentja e Honduras-it, Xiomara Castro shpalli një emergjencë të sigurisë kombëtare dhe filloi zbatimin e një plani të ri.

Kjo, për të luftuar një numër në rritje të rasteve të zhvatjes nga grupet e dhunshme kriminale që veprojnë në të gjithë vendin.

Masat e reja të Castro-s do të lejonin pezullimin e disa të drejtave kushtetuese në zonat me prezencë mbizotëruese të bandave kriminale, një dislokim prej 20 mijë agjentësh policie, kontrolle të reja sigurie në rrugë dhe masa kundër pastrimit të parave.

Kongresi duhet të miratojë ende pezullimin e të drejtave kushtetuese, megjithëse plani i sigurisë hyri në fuqi të enjten.

Deklarata autorizon gjithashtu qeverinë e Honduras-it të përdorë në mënyrë të jashtëzakonshme fondet publike për të luftuar bandat kriminale të njohura për përfshirje në aktivitete të paligjshme si rrëmbimi dhe trafiku i drogës.

Në këmbim të të ashtuquajturës “taksë lufte”, bandat ofrojnë mbrojtje ose thonë se ata që paguajnë nuk do të vriten.

Bandat kanë djegur autobusët dhe kanë vrarë shoferë që nuk paguanin tarifën, duke bërë që bizneset dhe njerëzit të paguajnë nga frika.

Kjo zhvatje gjeneron fitime vjetore të barasvlefshme me 737 milionë dollarë për bandat, gati 3 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore