Lajme

Hill: ShBA-të duan një marrëdhënie më të mirë dhe më thellë me Serbinë


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë këtë të premte se shteti që ai përfaqëson duan që të kenë një marrëdhënie “më të mirë dhe më të thellë” me Serbinë.

“Besoj se Serbia tani po merr vendime të mira dhe po shkon në drejtimin e duhur, sigurisht që do të ketë ende vështirësi, por ShBA e sheh Serbinë si një partner të mirë me të cilin mund të punojë dhe me të cilin do të jetë më afër në të ardhmen. ”, ka deklaruar Hill në fjalën e tij gjatë vizitës në Odën Ekonomike të Serbisë.

Ndërkaq, ai theksoi se nuk është ndonjë sekret që ShBA-të e mbështesin Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Unë nuk jam këtu për të folur për të kaluarën dhe vështirësitë, por jam këtu për të thënë se, megjithëse vendet tona i ndan një oqean, ne nuk jemi të ndarë fare. Një pjesë thelbësore e rolit amerikan këtu është të mbështesë Serbinë në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në BE. Është thelbësore që Serbia dhe BE-ja të funksionojnë së bashku, domethënë që Serbia të anëtarësohet në Union”, shtoi Hill.

Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë për Zërin e Amerikës të enjyten ka thënë se “pyetja është nëse SHBA-të mund të llogarisë në kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti si partner”, duke shtuar se “nuk mban mend ndarje kaq të thella mes Prishtinës dhe Uashingtonit. Ndërsa, theksoi se “Serbia është partneri ynë”.

Këto komente ai bëri pasi komentoi propozimet e të dërguarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që ia paraqiten Prishtinës  dhe Beogradit për de-përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës.

“Mendoj se kemi një problem me Kurtin, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse mund të llogarisim tek ai si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, ka thënë Hill.

Sa i përket de-eskalimit të situatës në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje, ai potencoi se “de-përshkallëzimi është thelbësor dhe mendoj se kemi pasur njëfarë suksesi në këtë çështje gjatë dy ditëve të fundit”.

“Ka de-eskalim, sigurisht nga pala serbe, dhe pritshmëria nga BE-ja dhe SHBA-ja është që Kosova të bëjë një hap në atë drejtim. Është shumë e rëndësishme që policia speciale të tërhiqet nga ndërtesat komunale. Gjithashtu, kryetarët e komunave duhet të largohen nga ndërtesat komunale dhe kjo duhet të ndodhë në një moment”.

“Dhe pyetja e tretë, pak më e vështirë, është nëse mund të keni zgjedhje të reja. Nga pala serbe u tha qartë se është i rëndësishëm formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i cili ende është problem për Kurtin. Sepse të gjithë të tjerët e kuptojnë se është e nevojshme”, shtoi ai.

I pyetur se cilat do të ishin pasojat për mos zbatimin e kërkesave të ShBA-së, madje është pyetur edhe nëse raportimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, mund të shpallen persona “non grata”, ai theksoi se nuk e di nëse një gjë e tillë është e vërtetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore