Ne u besojmë ndjenjave, jo diagrameve. Në mesin e kompleksitetit të jetës, brenda vetes gjejmë depozitin shpirtëror të autenticitetit, që është pastërtia morale, përtej moralitetit të jashtëm urdhërues dhe socialisht të kushtëzuar.
“Julie ou la Nouvelle Héloïse” e filozofit gjenevas, Jean-Jacques Rousseau, është kthimi në gjenezën e “vetes” së pastër morale, të prekjes së pastër me shpirtin njerëzor, që posedon unikalitetin etik a priori të individit; ku “sentimenti i ekzistencës” rikthen pulsin e jetës njerëzore.
Ndonëse e shkruar në formë novele, ajo është traktat dhe teori politike dhe teori etike brenda një velloje proto-romantike; ku rënia e Julie-t shkon vis-à-vis me mospërkatësinë natyrore të ndjenjave të saj origjinale. Mbytja e autenticitetit për t’u ingranuar në moralin dhe konventën shoqërore të kohës.
Julie, bie kryekëput në dashuri me tutorin e saj Saint-Pre, por dashuria e tyre është e destinuar të dështojë qysh në nisje. Saint-Pre, e di që Baron d’Entagne nuk do t’ia jep dorën e vajzës së tij kurrë një filozofi, “një njeriu të panatyrshëm”.
“Merr pushtet të kotë, miku im, nderin mos ma merr. Jam mëse e gatshme të bëhem skllavja yte, por të jetoj në pafajësi. Nuk dua të fitojë dominancë mbi ty nën çmimin e çnderimit të vetes”, i shkruan Julie.
“Aq më shumë mrekullohen nga ti, aq më sublime më bëhen ndjenjat”, ia kthen Saint Pre.
Pas çdo këmbimi letrash, dashuria mes dy fatkeqëve bëhet edhe më e madhe; ngase nga “këto puthje nuk do të shërohem kurrë”, ofshan tutori i Julie-t, aty edhe nisemi drejt vdekjes spektakulare të saj.
Uniteti femëror i Julie-t përson thyerje fatale nga kontura patriarkale e dominancës, kontrollit, definimit, dhe shtypjes përfundimtare të pastërisë së ndjenjave të saj.
Seksualiteti i saj është kriminalitet shoqëror; lidhja jashtëmartesore me Saint-Pre, nga ku mbi trupin e saj të vdekur ende këndojnë “konventat shoqërore” në vend të “pasioneve të kulluara”.
Imazhet që Rousseau i transmeton përmes gjuhës dhe figurës së Julie-t janë të pastërtisë së pasioneve feminime, përkundër gjuhës së maskulinizuar në racionalitetin ekstrem të rregullave dhe konventave.
“Pse është shpirti im i nënshtruar ndaj këtyre shqisave dhe i burgosur në këtë trup? Që e skllavëron dhe interferon në të? Nuk di asgjë për të. A kam marrë pjesë unë në dekretet e Zotit? Aspiroj të shoh ditën kur, pasi të lirohem nga kthetrat e trupit, do të jemë vetja pa rënë në kontradiktë e as ndarje, dhe të kem nevojë vetëm për veten që të jem i lumtur”, shkruan Jean Jacques Rousseau.
Rrjedha fiziko-morale e “Heloizës së Re” është simfoni në vete: prej rënies në dashuri, trupit virgjinal, shtatëzënisë, sëmundjes, revolucionit të brendshëm sentimental e deri në martesën pa dëshirën dhe pajtimin e saj me Wolmar-in, shuhet vullkani aktiv i dashurisë me Saint-Pre.
Heroina e Rousseau-s është më shumë se sa një trupëzim i Virtytit femëror, dhe instancë e femërores së shtypur dhe të parealizuar në një sistem shoqëror, familjar, që ishte shëmbëlltyrë e shekullit të 18-të në Evropë.
Kotësia e paragjykimeve aristokratike, shoqëria e “korruptuar”, vlerat republikane si patriotizmi, civilizimi i shumë proklamuar, “barazia”, të gjitha navigohen brenda fatkeqësisë së jetuarit “në atë shoqëri të civilizuar” nga Julie.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com