Kosova

Haxhiu: Jam e gatshme të jap dorëheqje, por…


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur e gatshme të jap dorëheqje nga pozita, pas rastit monstruoz që tronditi shoqërinë kosovare.

Në një intervistë për Tëvë1, Haxhiu pohoi se do ta lëshojë postin e ministres, vetëm nëse vërtetohet se është përgjegjëse në mënyrë të drejtpërdrejtë për vrasjen e Hamide Magashit nga ish-bashkëshorti i saj.

“Sa më përket mu, vetëm adresojeni se ku është përgjegjësia e drejtpërdrejtë e ministres së Drejtësisë apo e tërthortë në këtë drejtim, dhe unë jam në gjendje të jap dorëheqje”.

“Ministria ka adresuar të gjitha kompetencat që ka dhe jam duke u përpjekur maksimalisht që çdo ditë, të punojmë në këtë drejtim në mënyrë që ta luftojmë femicidin”.

“Duket që është një përpjekje jashtëzakonisht e vështirë, mirëpo jam e bindur që kjo sfidë nuk do të na ndalë”, shtoi Haxhiu.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, pas horrorit që ndodhi të mërkurën në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se personat përgjegjës për dështimin e ofrimit të sigurisë për viktimën, duhet të japin dorëheqje.

Ai gjatë ditës bëri të ditur se ka aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse.

Foto ilustruese nga Albanian Post

Gjithashtu, të enjten e 1 dhjetorit, qindra protestues shprehën revoltën e tyre dhe kanë bërë thirrje që autoritetet përkatëse të dorëhiqen pas vrasjes së 35 vjeçarës nga S.H., 31 vjeçar nga Shtimja, i cili vazhdon të jetë në arrati.

“Dorëheqja nuk mjafton” dhe “Polici, i keni duart me gjak”, ishin disa nga mesazhet e protestuesve në qendër të Prishtinës.

Ngjarja makabre – një javë nga vrasja tjetër e një guraje nga burri i saj në Prishtinë – ndodhi rreth orës 18:00, në hapësirat Spitalit të Gjinekologjisë.

Vdekja i zuri vend lindjes, gjë që i jep karakter më monstruoz rastit.

Teksa rasti vazhdon të jetë nën hetime nga njësitet kompetente policore, Gjykata Themelore e Ferizajt, ka bërë të ditur se viktima ka pasur urdhër-mbrojtje që nga data 8 shtator 2022.

Një shoqëri që po zhytet në një krim simptomatik ndaj grave, sot është rasti të bëjë një pakt: Kundër dhunës! Çfarëdo dhe pavarësisht motivit.

Kosova është vetëm një nga vendet e shumta që po përballet me dhunën ndaj grave, atë që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur “pandemi globale nën hije”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore