Kosova

Haradinaj premton pagë minimale 1000 euro nëse fiton zgjedhjet e 9 shkurtit


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, teksa ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për keqqeverisje në katër vitet e fundit, në një konferencë për shtyp të hënën, ka premtuar se nëse vjen në pushtet koalicioni AAK – Nisma, pas zgjedhjeve parlamentare, paga minimale në Kosovë do të jetë 1000 euro deri në fund të mandatit qeverisës.

“Ne jemi bashkuar për t’ia kthyer Kosovës zhvillimin, për t’i rritur pagat e pensionet dhe për t’i ulur taksat. Ne ditët e para të qeverisjes, nuk do të ketë pagë mesatare nën 1000 euro, dhe nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro. E deri në fund të mandatit, në vitin 2028, paga minimale do të jetë 1000 euro”.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike, ndërsa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, janë duke ia kthyer shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në perëndim. Ndryshe, paga minimale është 264 euro, kurse mesatarja 780 euro.

E zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen më 9 shkurt 2025. Duke qenë se Kosova do ta hapë sezonin zgjedhor së shpejti – një kohë kur qytetarët fillojnë t’i kushtojnë shumë vëmendje fushatës elektorale, ndërsa partitë politike i kthehen rutinës përgatitore për betejën e radhës – pritet të vazhdojë edhe “ping-pongu” mes pushtetit e opozitës për situatën në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore