Kosova

Haradinaj: Premtimet e Kurtit për FSK-në po shndërrohen në mashtrime paszgjedhore


Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, takimin e kryeministrit Albin Kurti me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e ka vlerësuar si “mashtrim”.

“Gjithmonë është lajm i mirë kur Kryeministri i vendit takon krerët e sigurisë, por kur pas katër vitesh Qeverisje premtimet parazgjedhore mbesim mashtrime paszgjedhore është e natyrshme që edhe ky takim është veç fillimi i mashtrimit të radhës”.

“Ushtari i Kosovës vazhdon të ketë pagë € 400, të ketë pajisje personale tepër joadekuate kurse rritjen e premtuar të pagës plotë ushtarë të FSK e arrijnë përmes përmbaruesve”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i AAK-së përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka përmendur premtimet e Kurtit që i ka dhënë para se ta merrte pozitën e kryeministrit.

“Premtimi i Kurtit se Kosova do të ketë ushtri të detyrueshme doli të jetë vetëm mashtrim ordiner. ‘Fondi i Sigurisë’ më as që përmendet nga ai. Ushtria duhet të trajtohet nga shteti me dinjitet e respekt e jo me mashtrim. Ushtria nuk është dhe s’do të duhej kurrë të ishte kazan i votave të Albin Kurtit”.

Kurti, të mërkurën në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës ka takuar komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministrin e Financave, Hekuran Muratin.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, Kurti ka njoftuar se gjatë takimit është diskutuar për planet dhe mbështetjen e Qeverisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës “që asnjëherë nuk ka qenë më e madhe e më e lartë”.

“Zhvillimi dhe fuqizimi i ushtrisë në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit është ndër prioritet tona kryesore, andaj po punojmë çdo ditë që FSK-ja të jetë sa më moderne, sa më e fortë dhe po aq profesionale”.

Kreu i ekzekutivit të martën ka takuar edhe presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore