Kosova

Haradinaj për Kurtin: Sado që e mban kokën lart, frikësohet nga të gjithë


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, sado që e mban kokën lart, ai frikësohet nga të gjithë.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë përmes një postimi në Facebook, duke komentuar vizitën e Kurtit në Veri, të martën, ku u shoqërua nën masa të rrepta sigurie.

Mirëpo, sipas Haradinajt nuk është trimëri që me një divizion të Policisë, kryeministri i vendit të shkojë në një pjesë të territorit të tij për një hamburger dhe “të mashtrojë çdo qytetar të Kosovës se gjithçka në Veri është rregulluar”.

“Frika dhe paranojat e tij i futi në gabime edhe ata që s’duhej të gabonin. Pra mekanizmat e sigurisë”, shkroi Haradinaj, duke komentuar arrestimin e politikanit serb nga Veriu, Aleksandër Arsenijeviç, pasi që fishkëlleu kundër vizitës së Kurtit.

Kryeministri, në vlerësimin e kreut të AAK-së, sado që e mban kokën lart “reflekton frikë dhe frikësohet nga të gjithë”.

“Ai frikësohet të dalë para qytetarëve dhe të tregoj çka ka të vërtetë në akuzat e Presidentes. Ai frikësohet të dalë para gazetarëve dhe të tregojë çka po ndodhë me Procesin e Berlinit dhe pse po e shtyen BE-në drejt përjashtimit të Kosovës”, beson.

Përveç këtyre, ish-kryeministri potencon se Kurti frikësohet të dalë dhe të tregojë të vërtetën për mos-hapjen e urës dhe “ende mban qytetarët në mashtrime se së shpejti do të hapet ajo”.

“Albini bëhet pak trim dhe mashtron se ka paguar lehonat përderisa Komunat me buxhete te varfëra i paguajnë edhe më shumë edhe më dinjitetshëm”, shtoi.

Kryeministri, shtoi Haradinaj, “u ikë dhe u frikësohet gazetarëve dhe ndihet trim kur i shtyen kolegët e tij të dalin dhe të flasin e mos të tregojnë asgjë për të gjitha këto tema sepse vet s’ka çka thotë”.

“Ai sot as për Byron për Konfiskim të Pasurisë nuk foli sepse ai e din që bashkëpunëtorët e vet do të jenë klientët e parë të saj e për vete është i sigurt se shpëton”, pohon.

Shpëton, thotë njëri nga liderët e opozitës, “sepse mendon se askush s’do ta ndjek në Norvegji”.

Albin Filikaqa

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore