Kosova

Haradinaj: AAK do ta nxjerrë vendin nga regresi


Foto: Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se partia që ai udhëheqë, së bashku me partnerët e koalicionit (NISMA Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët) do ta nxjerrin Kosovën nga regresi.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas takimeve që ka pasur me kryetarët e degëve të AAK-së, me qëllim të harmonizimit të aktiviteteve parazgjedhore.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me partnerët në koalicion, do ta nxjerrë Kosovën nga regresi për ta bërë të mundshëm kthimin e perspektivës për zhvillim dhe integrimin euro-atlantik”, shkroi Haradinaj.

Pasi që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 9 shkurtin e 2025-së, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, Haradinaj ka qenë mjaft aktiv me premtime parazgjedhore.

Ai ka premtuar rritjen e pensioneve, rritjen e pagës minimale, mbështetje për bujqit, mbështetje për sportin etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore