Shqipëria

Hapi i parë drejt krijimit të një Komiteti Konsultativ BE-Shqipëri


Para nisjes së takimit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe shefes së BE-së, Ursula von der Leyen, kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi për hapin e parë drejt krijimit të Komitetit të Përbashkët Konsultativ (JCC) me Unionin.

Në praninë e presidentit të Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social (EESC), Oliver Röpke, palët rikonfirmuan angazhimin e tyre për forcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, me fokus në rolin e shoqërisë civile.

Kujtojmë që, EESC-ja përfaqëson punëdhënësit, punëtorët dhe organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertiza e 329 anëtarëve të saj ndihmon në optimizimin e cilësisë së politikave dhe legjislacionit të BE-së.

Takimi vjen në një moment kyç, teksa Shqipëria vazhdon përpjekjet e saj për integrimin në BE.

“Përparimi i Shqipërisë drejt integrimit në BE është i lavdërueshëm”, vuri në dukje Röpke.

Të dy liderët shprehën vendosmërinë e tyre për të përfunduar hapat e ardhshëm për krijimin e komitetit, i cili pritet të luajë një rol kyç në sigurimin e përfshirjes së shoqërisë civile në negociatat e anëtarësimit në BE.

“Jemi gati të ngremë JCC-në”, pohuan kryeministri shqiptar dhe presidenti i EESC-së.

Kryeministri Rama shprehu optimizëm për të ardhmen e Shqipërisë brenda BE-së dhe ripohoi përkushtimin e qeverisë së tij për reformat e nevojshme.

“Shqipëria mbetet plotësisht e lidhur me politikat e BE-së dhe ne jemi të përkushtuar të përshpejtojmë rrugën tonë drejt anëtarësimit”, tha ai përpara takimit të tij me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Zyra për media e EESC-së pohoi për Albanian Post se për momentin krijimi i JCC-së “është në negociata, në funksion të emërimit të anëtarëve të shoqërisë civile dhe përbërjes përfundimtare të Komitetit”.

“Komiteti i Përbashkët Konsultativ (JCC) në fakt përbëhet nga anëtarë të EESC-së dhe organizata të shoqërisë civile të vendit, në këtë rast, Shqipërisë, me të cilën BE-ja ka nënshkruar një Marrëveshje Asociimi ose marrëveshje të ngjashme. Detyra e saj është të miratojë rekomandime nga përfaqësues të shoqërisë civile për aspekte të ndryshme që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe”, deklaroi për AP-në – Amalia Tsoumani nga Seksioni për Marrëdhëniet e Jashtme.

Ajo shtoi se si fillim ka pasur një pikënisje për të lëvizur procedurat për krijimin e një JCC-je BE-Shqipëri siç është tashmë me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Në tetor ne po planifikojmë një ngjarje të nivelit të lartë, me Anëtarët Kandidatë të Zgjerimit (ECM) dhe autoritetet politike të shteteve anëtare kandidate”, ravijëzoi në përmbyllje Tsoumani.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi se ngritja e këtij komiteti “konfirmon sërish se në rrugëtimin e negociatave, të gjithë aktorët shoqërorë kanë rol thelbësor për të përshpejtuar ritmet drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Evropian”.

Ndërsa Shqipëria vazhdon rrugëtimin e saj për anëtarësim në BE, bashkëpunimi midis EESC-së dhe shoqërisë civile shqiptare mbetet një gur themeli i progresit, shkruan Komiteti në web-in e tij.

Sakaq, hapat e ardhshëm përfshijnë finalizimin e strukturës së JCC-së dhe caktimin e takimit të saj inaugurues, i cili parashikohet në javët në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore