Qeveria amerikane mendon se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, është shumë i gatshëm për të mbrojtur interesat ruse.
Kështu tregon dokumenti i ri sekret i dalë nga rrjedhja e dosjeve të inteligjencës amerikane, ku reflektohet po ashtu se SHBA-të e kanë monitoruar nga afër shefin e OKB-së dhe lëvizjet e qëndrimet e tija.
Një pjesë prej dokumenteve sekrete, pasqyrojnë po ashtu edhe komunikime private mes Guterres dhe zëvendësit të tij.
Dokumentacionet kanë të bëjnë këtë herë kryesisht me monitorime të imtësishme, ku të përfshirë, përveç Guterres, janë edhe disa krerë afrikanë shtetesh, të cilët mendohet se kanë lidhje të forta me Rusinë.
Marrëveshja e grurit mes Rusisë dhe Ukrainës, e ndërmjetësuar nga Turqia, ka qenë pika kyçe e reflektimit amerikan, ku tregohet se në këtë rast, shefi i OKB-së ka pasur një qasje shumë pro-ruse, me vullnet të madh për të mbrojtur interesat e afërta të Moskës në ujdi.
“Guterres theksoi përpjekjet e tij për të përmirësuar aftësinë e Rusisë për të eksportuar”, thuhet në dokument, “edhe nëse kjo përfshin subjekte apo individë të sanksionuar rusë”.
Veprimet e tij në shkurt, sipas vlerësimit, po “minonin përpjekjet më të gjera për ta mbajtur Moskën përgjegjëse për veprimet e saj në Ukrainë”.
Zyrtarët e OKB-së e turbulluan opinionin, me sugjerimin se diplomati më i lartë i botës po tregohej i butë ndaj Moskës.
Duke thënë se nuk do të komentonte mbi dokumentet e zbuluara, një zyrtar i lartë tha se OKB-ja ishte “e shtyrë nga nevoja për të zbutur ndikimin e luftës tek më të varfërit në botë”.
“Kjo do të thotë të bëjmë atë që mundemi për të ulur çmimin e ushqimit,” shtoi ai, “dhe për të siguruar që fertilizuesit të jenë të arritshme për ato vende që kanë më shumë nevojë për të”.
Rusia është ankuar shpesh se eksportet e saj të grurit dhe fertilizuesve po ndikohen negativisht nga sanksionet ndërkombëtare dhe ka kërcënuar të paktën dy herë të pezullojë bashkëpunimin me BSGI nëse nuk adresohen shqetësimet e saj.
Drithërat dhe plehrat ruse nuk janë subjekt i sanksioneve ndërkombëtare, por Rusia thotë se ka përjetuar vështirësi me sigurimin e transportit dhe sigurimit.
Zyrtarët e OKB-së janë qartësisht të pakënaqur me interpretimin e Amerikës për përpjekjet e Guterres. Dhe ata thonë se ai e ka bërë shumë të qartë kundërshtimin e tij ndaj luftës së Rusisë.
Një dokument tjetër nga mesi i shkurtit përshkruan një bisedë të sinqertë midis Guterres dhe zëvendëses së tij, Amina Mohammed.
Në të, Guterres shpreh “zhgënjim” për një thirrje nga Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, që Evropa të prodhojë më shumë armë dhe municione si rezultat i luftës në Ukrainë.
Të dy flasin gjithashtu për një samit të fundit të liderëve afrikanë. Amina Mohammed thotë se presidenti i Kenias, William Ruto, është “i pamëshirshëm” dhe se “nuk i beson atij”.
Dihet mirë se Amerika është në mesin e një numri kombesh që spiunojnë në mënyrë rutinore OKB-në – por kur produktet e atij spiunazhi dalin në dritë, është shumë e turpshme dhe, për diplomatin kryesor në botë, potencialisht e dëmshme.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com