Byzylyku kundër përndjekjes ka shpëtuar një grua, viktimë të dhunës dhe ka vënë në pranga ish-partnerin 33-vjeçar nga karabinierët e stacionit Settecamini në Romë.
Pas denoncimit për dhunën në familje nga ish-partneri, 37-vjeçarja kishte arritur t’i jepte fund lidhjes me të.
Kështu, ai kishte marrë nga Gjykata e Romës masën e sigurimit ndalim afrimi, tregon e përditshmja italiane “la Repubblica”.
Masën paraprake të “përforcuar” nga aparati elektronik kundër përndjekjes, viktima kishte pranuar që ai ta mbante gjithmonë me vete.
Mjeti i vogël i vendosur te kyçi i këmbës arriti ta shpëtonte atë. Ishte në mbyllje të turnit kur dëgjoi zilen e pajisjes dhe kuptoi se ishte në rrezik.
Ish-partneri i saj po e priste jashtë, duke shkelur ndalimin e afrimit.
Në mënyrë të menjëhershme, ajo ka telefonuar numrin 112 dhe ka kërkuar ndërhyrjen e karabinierëve, tashmë të sinjalizuar nga aparati kundër përndjekjes.
Kur mbërritën në vendngjarje, ata identifikuan burrin aty pranë, i cili pasi e zbuloi, filloi të kërcënonte gruan dhe më pas u arrestua dhe u dërgua në burg.
“Teknologjia duhet të luajë një rol kyç në rritjen e sigurisë së grave dhe fëmijëve të tyre të mitur. Si këshilltare për mundësi të barabarta jam gati ta bëj Romën një qytet pilot në përdorimin e byzylykut elektronik”, ka thënë këshilltarja për mundësi të barabarta e kryeqytetit të Romës, Monica Lucarelli.
Sipas saj, ky byzylyk është propozuar “dhjetorin e kaluar nga Qeveria me propozimin e ministrave Elena Bonetti, Luciana Lamorgese dhe Marta Cartabia, për krimet e përndjekjes dhe dhunës ndaj grave”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com