Auto

Goditet nga Pekin-i oferta publike e kompanisë së çipave, BYD


Plani i prodhuesit kinez të makinave elektrike, BYD, për të shitur aksionet në njësinë e vet të prodhimit të çipave kompjuterikë është pezulluar dhe rezulton të jetë aksioni i fundit që goditet nga Pekin-i.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se listimi i regjistruar në maj është lënë pezull për shkak të një hetimi rregullator ndaj firmës ligjore që këshillon kompaninë kineze.

Ky pezullim vjen në mes të një shtrëngimi më të gjerë rregullator mbi industrinë nga autoritetet kineze.

Gjatë fundjavës, bursa Shenzen ka bërë me dije se firma juridike e quajtur Pekin Tian Yuan, një nga kompanitë më të mëdha të shërbimeve juridike të Kinës, ishte duke u hetuar në lidhje me listimin.

Sipas saj, firma ka qenë këshilltare për ofertën publike të planifikuar të BYD Semiconductor, por që tanimë është duke u hetuar nga Komisioni Rregullator i Sigurisë në Kinë.

Prej shitjes së aksioneve, BYD Semiconductor kishte planifikuar të mblidhte të paktën 421 milionë dollarë. Dhe paratë që do të merrte kishte planifikuar t’i investonte sërish në biznes teksa prodhuesit global të makinave luftojnë me mungesën e çipave kompjuterikë.

Lidhur me vetë kompaninë, rezulton të jetë prodhuesi më i madh në Kinë i çipave të mikro-kontrolluesve për automjetet.

“BBC” dallon se këta mikro-kontrollues janë komponentë jetikë për makinat moderne, të përdorura për gjithçka, nga sediljet dhe dritaret e deri te frenat.

Sipas vlerësimit të tregut, kompania mëmë BYD është prodhuesi më i madh i makinave në Kinë dhe gjithashtu kompania më e fundit kineze që ka bllokuar planet pas goditjes së rregulloreve në Pekin.

Ligji i ri i privatësisë

Në kuadër të situatës, Pekin-i ka prezantuar masa për të mbrojtur privatësinë e të dhënave dhe organi më i lartë legjislativ i Kinës, Komiteti i Përhershëm i Kongresit Kombëtar Popullor, miratoi një ligj të ri gjithëpërfshirës të privatësisë.

Ligji për Mbrojtjen e Informacionit Personal synon të kontrollojë rreptësisht mbledhjen e të dhënave nga firmat teknologjike dhe do të hyjë në fuqi nga 1 nëntori.

Sipas “BBC”, një sërë kompanish teknologjike janë përballur me probleme në Kinë në lidhje me privatësinë e të dhënave.

Në fillim të këtij viti, rregullatori i internetit urdhëroi dyqanet online të mos ofrojnë aplikacionin e firmës kineze Didi, duke thënë se mblidhte në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të përdoruesve.

Kjo, vetëm dy ditë pas debutimit të kompanisë në New York Stock Exchange duke bërë që aksionet e saj të uleshin ndjeshëm.

Në fund të muajit korrik, aksionet në firmat kineze të mësimit në internet ranë pasi Pekin-i u hoqi atyre aftësinë për të përfituar nga mësimi i lëndëve kryesore.

Gjithashtu janë goditur edhe investimet e huaja në industri.

Nga goditja e Pekin-it në nëntorin e kaluar, debutimi në tregun e aksioneve të gjigantit të teknologjisë Ant Group u ndërpre papritur.

Ant, e mbështetur nga Jack Ma, miliarderi themelues i platformës së tregtisë elektronike Alibaba, ishte vendosur të shiste aksione me vlerë rreth 34.4 miliardë dollarë.

Por shitja e planifikuar u pezullua për shkak të shqetësimeve të konkurrencës, me Kinën që detyroi një ristrukturim gjithëpërfshirës të grupit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore