Lajme

Gjykatësi amerikan gjobit Trump me 1 milion dollarë për padinë ndaj Clinton


Një gjykatës amerikan ka urdhëruar Donald Trump dhe një nga avokatet e tij që së bashku të paguajnë gati 1 milion dollarë gjobë për një proces gjyqësor “të pavlerë” kundër Hillary Clinton dhe të tjerëve.

Padia akuzoi Clinton dhe të tjerët se po përpiqeshin të manipulonin zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA duke e lidhur fushatën e tij me Rusinë.

“Kjo çështje nuk duhet të ishte ngritur kurrë”, shkruante në urdhrin e tij gjyqtari i qarkut amerikan Donald M Middlebrooks.

Trump nuk është përgjigjur menjëherë.

Padia e ish-presidentit, e ngritur marsin e kaluar, akuzoi Clinton, Komitetin Kombëtar Demokratik dhe të tjerët për komplot për të “thurur një narrativë të rreme” gjatë zgjedhjeve të 2016-ës se fushata e tij po bashkëpunonte me Rusinë për të fituar garën.

Trump kishte kërkuar 70 milionë dollarë dëmshpërblim.

Padia u hodh poshtë në shtator dhe Trump u gjobit me mbi 65 mijë dollarë tarifa dhe gjoba në nëntor pasi një i pandehur kërkoi sanksione.

Urdhri i së enjtes erdhi pasi një grup i të pandehurve, përfshirë Clinton, paraqitën një kërkesë të re për sanksione.

Në vendim, gjykatësi Middlebrooks e quajti Trump një “kryezues të abuzimit strategjik të procesit gjyqësor” dhe tha se padia tregon “papërshtatshmërinë si një pretendim ligjor” dhe se ishte menduar për një “qëllim politik”.

“Asnjë avokat i arsyeshëm nuk do ta kishte paraqitur atë”, tha ai.

Gjykatësi urdhëroi Trump dhe avokaten e tij, Alina Habba, dhe firmën e saj, Habba Madaio & Associates, të paguajnë bashkërisht 937 mijë e 989 dollarë gjobë.

Ish-kryetarja e Komitetit Kombëtar Demokratik, Debbie Wasserman Schultz, ish-drejtori i FBI-së, James Comey dhe konsulenti politik demokrat John Podesta, u përmendën mes të tjerëve në ankesë.

Ndërhyrja e supozuar e Rusisë në zgjedhje në vitin 2016 rezultoi në një hetim dyvjeçar të kryesuar nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller.

Mueller nuk përcaktoi se Trump ose fushata e tij kishin bashkëpunuar me Rusinë, por këshilltari special tha se raporti i tij nuk e shfajësonte presidentin për pengim të drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore