Kërkesa që të ketë kufizime dhe monitorim të komunikimeve të Pjetër Shalës, është refuzuar nga trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt-Folgia.
Këtë vendim gjykata e mori më 4 nëntor të 2022, duke kërkuar nga Paneli të urdhërojë kufizime në komunikimet jo të privilegjuara të Pjetër Shalës, përpara fillimit të gjykimit.
“ZPS-ja kërkoi në veçanti që: (i ) komunikimet e të Akuzuarit – me telefon, mjete të tjera elektronike, korrespondencë ose personalisht – me persona jashtë ambienteve të paraburgimit të Dhomave të Specializuara, të monitorohen në mënyrë aktive; (ii) komunikime të tilla kufizohen tek individët e miratuar paraprakisht nga Paneli”, thuhet në vendim.
Mbrojtja e ka kundërshtuar kërkesën e ZPS-së dhe ka thënë se është “e pabazuar, e pajustifikuar dhe disproporcionale”, prandaj është kërkuar nga trupi gjykues ta refuzojë atë.
Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com