Stil

Gjithçka duhet të dini për veshjet e dasmës së Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz


Çifti Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz

Më 9 prill, Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz u martuan në një nga shtëpitë luksoze e kësaj të fundit, në Palm Beach, Florida.

Revista e modës “Vogue”, e cila pati ekskluzivitetin e fotove të dasmës, i publikoi ato bashkëngjitur një interviste dhënë nga stilistja e nuses, Leslie Fremar, dhe vetë Nicola.

Çifti dhe familjarët e tyre, familja Beckahm dhe prindërit e aktores Nicola ishin në qendër të shkrepjeve të bëra publike.

“Ai është fustani më i bukur i nusërisë që kam parë”, u shpreh stilistja, e cila më parë ka punuar me emra, si: Demi Moore, Julianne Moore dhe Charlize Theron.

Fustani i trashëgimtares miliardere u realizua nga dizajneri i Valentino-s, Pierpaolo Piccioli, të cilit ajo i bëri telefonatën e saj të parë kur po mendonte për fustanin e ëndrrave.

Leslie Fremar e përshkroi gjithë procesin e krijimit të fustanit të Nicola-s si “përvojën më të mirë të modës”, duke kujtuar udhëtimet në Romë, skicat, zgjedhjen e copës dhe dantellat.

Familja Beckham (Vogue)
Familja Beckham (Vogue)

“Thjeshtësia e fustanit ishte madhështore. Nuk na duhej të përdornim shumë detaje, kështu që përfunduam, duke eliminuar qëndisjet”, tregoi më tej stilistja për “British Vogue”.

Në vend të qëndisjes, ata shtuan doreza me dantellë të punuara me dorë dhe një vello të gjatë.

“Thjeshtësia është e magjishme”, vijoi Leslie, ndërsa e përshkruan si “vepër arti” pamjen e Nicola-s.

Sakaq, vetë nusja, duke folur për ndjesitë e para për fustanin dhe përzgjedhjen e tij, për “Vogue” tha se: “Më dukej sikur isha në dollapin e ëndrrave të mia”.

Nicola Peltz (Vogue)

Flokët dhe grimi i nuses u frymëzuan nga vitet ’90, konkretisht nga Claudia Schiffer dhe Brigitte Bardot. Flokët janë pothuajse të pastiluar, qëndrojnë të kapur lehtë dhe me balluke.

“Gjithmonë e kisha imagjinuar veten me flokë gjysmë të kapur lart e gjysmë të lëshuar, por vendosëm të shkojmë me balluket dhe stilim natyral”, tregoi në vazhdimësi Nicola.

Ndërsa dhëndri, pra Brooklyn, mbante veshur një kostum të zi të krijuar nga dizajneri Kim Jones i Dior-it.

“Brooklyn i pëlqen shumë markat. Dy Krishtlindje të shkuara i bëra dhuratë dy valixhe plot me dhurata të personalizuara për të nga marka të ndryshme”, përmbylli fjalën e saj Peltz.

Marrë nga revista e modës “Vogue”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore