Rep artisti amerikan, Shock G, është gjendur i vdekur në një dhomë hoteli në Tampa, për TMZ, lajmin e ka bërë të ditur babai i tij, Edward Racker, transmeton, Albanian Post.
Babai i Gregory Jacobs, për publikun i njohur si Shock G, ka thënë se shkaqet e vdekjes nuk dihen akoma, prandaj do të bëhet një autopsi me qëllim të përcaktimit të rrethanave që e quan rep artistin në vdekje.
Anëtari i grupit “Digital Underground”, pjesë e të cilit ishte edhe Jacobs, po ashtu konfirmoi vdekjen e artistit të zhanrit rep, duke bërë homazhe virtuale në llogarinë e Instagramit.
“34 vjet më parë pothuajse deri në ditën kur kishim një ide të egër që mund të ishim një grup hip hop dhe të merrnim botën. Përmes tij e gjithë ëndrra u bë realitet dhe realiteti u bë një makth për disa. Shock G aka Humpty Hump, pusho në paqe vëllai im, Greg Jacobs”, ka shkruar Chopmaster J.
Jacobs filloi me rep grupin “Digital Underground” bashkë me Chopmaster J dhe të ndjerin Kenny-K në vitin 1987, pasi u zhvendos nga Bregu Lindor në Oakland të Californisë.
Hitet e hershme të grupit përfshijnë “Underwater Rimes” e “Doowutchyalike”.
Në vitin 1990, “Digital Underground” publikoi albumin debutues në studio, të titulluar “Sex Packets”.
Hiti i dytë i albumit, “The Humpty Dance”, gjeti një sukses të madh tregtar, duke arritur në vendin e 11-të në listën e “Billboard Hot 100”.
Ndërsa, edhe videoja muzikore e këngës gjithashtu paraqiti legjendën e rep muzikës, Tupac Shakur.
Ndryshe, përveç punës së tij si reper, Jacobs ishte gjithashtu një producent i talentuar i muzikës. Ai ishte më i njohur për punën e tij në hitin që krijoi për Tupac Shakur, këngën “I Get Around”.
Në karrierën e tij, Jacobs prodhoi gjithashtu hitin tjetër të Shakur, të lansuar në vitin 1995, kënga “So Many Tears” , pjesë e albumit të tretë të tij.
Si producent, ai gjithashtu kishte punuar me emra të tjerë të njohur, të tillë si; Bobby Brown, Dr. Dre dhe Prince.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com