Kosova

Gërvalla fton Macronin për vizitë në Kosovë: Serbia pro-ruse dëshiron të krijojë tensione


Donika Gërvalla-Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, derisa ka folur në një intervistë për transmetuesin turk “TRT” në gjuhën angleze rreth rrjedhës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ka kërkuar nga presidenti e Francës, Emmanuel Macron, të realizojë një vizitë në Kosovë, pas shqetësimeve të këtij të fundit për serbët në Kosovë.

“Për sa i përket shqetësimeve të presidentit Macron për minoritetin serb në Kosovë, unë mund ta ftoj – dhe të gjithë të tjerët që mund të kenë shqetësime të caktuara – të vizitojnë Kosovën… kjo është pjesë propagandës gjigante që përdoret nga Rusia dhe Serbia kundër Perëndimit”, ka thënë Gërvalla.

Duke folur për lidhjet e ngushta midis Serbisë dhe Rusisë, ajo ka thënë se zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vulin, ka vendosur lule mbi varrin e diktatorit sovjetik, Josef Stalin, gjatë vizitës së fundit në Moskë. Gërvalla ka fajësuar edhe Bashkimin Evropian (BE) për “mungesë të strategjisë” në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në Bruksel janë bërë shumë gabime, jo vetëm në dialogun Serbi-Kosovë, i cili ka qenë një dialog pa strategji, pa plan dhe pa rezultat”, ka shtuar ndër të tjera kryediplomatja kosovare, derisa ka përmendur kërcënimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ndaj të cilit, sipas saj, duhet të ndërrohet qasja: “Serbia ka qenë e rrezikshme, dhe Serbia ka mbetur e rrezikshme”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje vitin e kaluar nën lehtësimin e BE-së, por ajo nuk është zbatuar akoma. Kosova dhe Serbia vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për dështimin dhe ngërçin në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel.

Litiumi dhe “Rafale”-t mund të vulosin “heshtjen evropiane” ndaj Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore