Boterori 2022

Franca dhe Argjentina, në kërkim të yllit të tretë


Shumë yje në fushë me sytë dhe prozhektorët e gjithë botës të kthyer vetëm për nga ata, por kombëtaret e futbollit të Francës dhe Argjentinës, sytë e tyre, i kanë posaçërisht aty, tek ylli i tretë në fanellën e tyre dhe ngritjen në majën e futbollit ndërkombëtar.

Betejë kjo e dy shteteve, e dy kombeve, por edhe e dy prej lojtarëve më të mirë në dekadat e fundit.

“Dhjetëshi” i parë, Lionel Messi, kërkon të hyjë në binarët e historisë si më i madhi i të gjitha kohërave dhe me një kupë bote në portofolin e tij futbollistik ku asgjë nuk mungon veç saj, diskutimi do të ishte më se i qëndrueshëm.

Nga ana e tjetër, “dhjetëshi” i cili përfaqëson të tashmen dhe të ardhmen e futbollit evropian e më gjerë.

Kampion bote në vitin 2018 me Francën, nëse Mbappe dhe gjelat francezë arrijnë të rrokin edhe këtë kupë bote (të dytën radhazi dhe të tretën në histori), ai do të kthehej edhe në lojtarin më të ri ndonjëherë, i cili i ngre lart dy trofe të tillë në karrierë.

Arritje këto, për të dy, të jashtëzakonshme në aspektin sportiv.

Por edhe më shumë luhet në këtë përballje titanike.

Franca nga njëra anë, synon të bëhet vetëm ekipi i tretë kombëtar në histori, i cili fiton dy herë radhazi kupën e botës. Vetëm Italia dhe Brazili, e kanë arritur diçka të tillë.

Më tej, gjelat do të bëheshin në këtë mënyrë edhe ekipi evropian më prolifik i dekadave të fundit, me tre kupa bote brenda 24 vjetësh (7 edicione).

Trajneri francez, Didier Deschamps, udhëhoqi Francën në të parën kupë bote të fituar në vitin 1998, por do të bëhej edhe trajneri i parë, i cili fiton dy të tilla radhazi, pas Vittorio Pozzo të Italisë, në vitin e largët 1938.

Argjentina nëse fiton, do të bëhej po ashtu me tre yje në fanelë, me të fundit kupë bote të fituar në vitin 1986 dhe të ngritur lart nga legjenda e futbollit botëror, Diego Armando Maradona.

Nëse Messi arrin ta kurorëzojë ëndrrën e këtij botërori, me të rinjtë që shohin për nga ai si pikë referimi dhe nga vetë Messi që sheh për nga Maradona, lart në qiell, atëherë ekuacioni për më të mirën e historisë ndryshon ndjeshëm.

Me fillim në orën 16:00, gjithçka në botë do të ndalë.

Ndërsa në fushën e Losail Stadium në Katar, do të jenë 90 minutat më të flakta futbollistike të vitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore