Dy burra të tjerë britanikë që luftuan për forcat e armatosura të Ukrainës dhe që aktualisht mbahen nga trupat pro-ruse në Ukrainën lindore mund të përballen me dënime me vdekje pasi u akuzuan si mercenarë.
Sipas një agjencie shtetërore të lajmeve në Donetsk të kontrolluar nga Rusia, prokurorët e mbështetur nga Rusia në territoret e pushtuara të Ukrainës kanë akuzuar Andrew Hill dhe Dylan Healy për “marrje me forcë të pushtetit” dhe për t’iu nënshtruar trajnimit “terrorist”.
Akuzat shkaktuan një përgjigje të furishme nga qeveria britanike.
“Ne dënojmë shfrytëzimin e të burgosurve të luftës për qëllime politike dhe e kemi ngritur këtë me Rusinë”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në një deklaratë. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e Ukrainës për rastet e tyre dhe jemi plotësisht në mbështetje të Ukrainës në përpjekjet e saj për t’i liruar ata”.
Sipas konventave të Gjenevës, luftëtarët e kapur duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore në çdo kohë. Aktivistët e të drejtave të njeriut akuzuan Rusinë për shfrytëzimin e kapjes së tyre për të ushtruar presion diplomatik ndaj perëndimit.
“Shanset që Healy dhe Hill të marrin një gjyq të drejtë qoftë në Republikën Popullore të Donetsk-ut ose në vetë Rusinë janë jashtëzakonisht të vogla”, tha Kristyan Benedict, menaxher i përgjigjes ndaj krizës në Amnesty International në Mbretërinë e Bashkuar. “Nëse autoritetet nuk paraqesin prova të qarta se Healy dhe Hill janë të implikuar në krime lufte, ky proces i rremë gjyqësor duhet të ndalet menjëherë”.
Hill, i cili u identifikua si baba i katër fëmijëve nga Plymouth, është shfaqur në televizionin rus në disa klipe, duke përfshirë një që u transmetua muajin e kaluar me titullin: “Ekskluzive – para ekzekutimit”.
Në klip, ai duket se i është thënë se mund të përballet me akuza penale, duke thënë se ai po “mbahej këtu si një mercenar i dyshuar”.
Hill, i cili raportohet se ka shërbyer më parë në regjimentin Lancaster të ushtrisë britanike, u shfaq për herë të parë në TV rus pas kapjes së tij në fund të prillit. Në video, 35-vjeçari dukej i plagosur rëndë, me kokën e fashuar dhe krahun e majtë në allçi.
Healy, nga Huntingdon, raportohet se ka punuar në Ukrainë si një vullnetar i ndihmës humanitare.
Dy britanikë të tjerë dhe një maroken u dënuan me vdekje me akuza të njëjta nga autoritetet në Donetsk të kontrolluar nga Rusia.
Një gjykatë të enjten dënoi 28-vjeçarin Aiden Aslin, nga Newark, 48-vjeçarin Shaun Pinner, nga Watford dhe Brahim Saaudun me akuzat për “terrorizëm”. Vëzhguesit thanë se procesi kishte për qëllim të imitonte gjyqet e krimeve të luftës të ushtarëve rusë që po zhvilloheshin në Kiev.
Nuk është caktuar një datë për ekzekutimin e dënimeve dhe të paktën dy nga burrat po apelojnë kundër vendimit.
Që kur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi formimin e një legjioni të huaj në fillim të marsit, dhjetëra mijëra njerëz nga e gjithë bota, disa me përvojë ushtarake dhe shumë pa, kanë mbërritur në Ukrainë.
Tani përbëjnë brigadën më të rëndësishme ndërkombëtare që nga lufta civile spanjolle, kur vullnetarë duke përfshirë intelektualë të majtë luftuan në njësitë ushtarake të organizuara nga komunistët midis 1936-ës dhe 1938-ës në mbështetje të qeverisë së frontit popullor të Spanjës.
Sipas një komandanti gjeorgjian që mbikëqyr operacionet që përfshijnë vullnetarë të huaj, rreth 3 mijë ushtarë britanikë po luftojnë në Ukrainë kundër forcave ruse. Disa kanë rrënjë ukrainase, ndërsa të tjerët janë veteranë ushtarakë pa lidhje familjare që kanë vendosur të luftojnë me ushtrinë e Ukrainës.
Disa vende kanë hequr dorë nga kufizimet ligjore për të lejuar njerëzit të luftojnë. Letonia, një armik i vjetër i Rusisë, ka hequr një ndalim të vitit 2014 për qytetarët e saj që të shkojnë për të luftuar me Kievin. Gjermania dhe Kanadaja kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm. Ndërsa shumica e vullnetarëve janë nga Amerika e Veriut dhe Evropa, disa kanë ardhur nga vende të tilla si Kolumbia, Japonia dhe madje edhe Xhamajka.
Në fillim të pushtimit, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, u kritikua se tha se do të mbështeste britanikët që shkonin në Ukrainë për t’iu bashkuar luftës kundër rusëve, me kolegët konservatorë që thanë se kjo do të ishte e pamatur dhe e paligjshme. Komentet e saj u kundërshtuan shpejt nga “Downing Street” dhe dy javë më vonë Truss u tërhoq nga komenti i saj, duke thënë se ajo thjesht po “shprehte mbështetje për kauzën ukrainase”.
Shefat e Ministrisë së Mbrojtjes kanë ndaluar të gjithë personelin e shërbimit të Mbretërisë së Bashkuar të udhëtojë në Ukrainë “deri në njoftimin e mëtejshëm”, duke thënë se çdo shkelje e këshillave mund të çojë në ndjekje penale.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com