Lajme

FMN-ja ul parashikimet për rritjen ekonomike në botë


Logoja e Fondit Monetar Ndërkombëtar në selinë në Uashington.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka thënë se ka ulur parashikimin e rritjes ekonomike globale për këtë vit në 5.9 për qind.

Në këtë ulje ka ndikuar pasiguria për përfundimin e pandemisë së Coronavirusit, më parë FMN-ja kishte parashikuar rritje ekonomike prej 6 për qind.

Sipas kësaj organizate me seli në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ulje të parashikimit kanë ndikuar edhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit që u përkeqësuan nëpër qendrat prodhuese të Azisë, si dhe pabarazitë në shkallën e vaksinimit midis vendeve të pasura dhe të varfra.

“Rimëkëmbja globale vazhdon, por hovi i saj është dobësuar”, tha Gita Gopinath, drejtoreshë e hulumtimeve në FMN. Gati 60 për qind e popullsisë në ekonomitë e zhvilluara është plotësisht e vaksinuar, krahasuar me vetëm rreth 4 për qind në vendet më të varfra.

Po ashtu, ajo paralajmëroi për një hendek të rrezikshëm në rritjen ekonomike midis ekonomive të zhvilluara dhe atyre me të ardhura më të ulëta.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) me seli në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

Fondi pret që deri në vitin e ardhshëm prodhimi i përgjithshëm nga ekonomitë e zhvilluara të kompensojë humbjet që pësuan gjatë pandemisë, ndërsa kthimi në gjendjen e para-pandemisë të arrihet deri në vitin 2024.

Fondi tani pret që ekonomia më e madhe në botë, Shtetet e Bashkuara, të kenë rritje 6 për qind në 2021. Në muajin korrik parashikimi ishte për 7 për qind.

Ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania, parashikohet të ketë rritje prej 3.1 për qind, duke mbetur pas Francës dhe Italisë, ku parashikohet rreth 6 për qind.

Më 21 maj, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka propozuar një plan prej 50 miliardë dollarëve për t’i dhënë fund pandemisë së Coronavirusit.

“Propozimi ynë ka synim, parashikon kërkesat financiare dhe prezanton veprimet pragmatike”, ka thënë Kristalina Georgieva, udhëheqëse e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në Samitin Global të Shëndetësisë, të mbajtur në Romë.

Sipas këtij plani, parashihet që të paktën 60 për qind e popullsisë në botë të vaksinohet deri në fund të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore