Lajme

Finlanda i jep fund jetesës në rrugë të të pastrehëve


Në Finlandë, numri i të pastrehëve ka rënë ndjeshëm.

Dhe arsyeja është se të pastrehët marrin një apartament të vogël dhe këshillim pa asnjë parakusht.

Kështu, katër nga pesë prej tyre kthehen në një jetë të qëndrueshme.

Në vitin 2008 mund të shiheshin tenda dhe kasolle që qëndronin midis pemëve në parqet e Helsinkit.

Njerëzit e pastrehë kishin ndërtuar shtëpi të improvizuara në qendër të kryeqytetit të Finlandës. Dhe ishin të ekspozuar ndaj kushteve të vështira të motit.

Që nga vitet 1980, qeveritë finlandeze ishin përpjekur të reduktonin të pastrehët. U ndërtuan strehimore afatshkurtra. Megjithatë, njerëzit e pastrehë mbetën sërish jashtë.

Kishte shumë pak strehimore emergjente dhe shumë të pastrehë nuk arritën të dilnin nga gjendja e vështirë.

Ata nuk mund të gjenin punë pa një adresë banimi. Dhe pa punë, ata nuk mund të gjenin një banesë. Ishte rreth vicioz.

Për më tepër, ata kishin probleme me aplikimin për përfitime sociale. E gjetën veten të bllokuar.

Por në vitin 2008, qeveria finlandeze prezantoi një politikë të re për të pastrehët. Nisi zbatimin e konceptit “Strehimi së pari”.

Prej asaj kohe, numri i tyre ka rënë ndjeshëm.

Sepse Finlanda ka vendsur një objektiv: Askush nuk duhet të jetojë më në rrugë. Çdo qytetar duhet të ketë një banesë.

Një objektiv ky, që ka rezultuar i suksesshëm. Finlanda është i vetmi vend i BE-së ku numri i të pastrehëve është në rënie.

‘Strehimi së pari’

Janë OJQ-të si “Y-Foundation” që ofrojnë strehim për njerëzit në nevojë.

Ato kujdesen vetë për ndërtimin, blejnë banesa në tregun e banesave private dhe rinovojnë banesat ekzistuese. Apartamentet kanë një deri në dy dhoma. Përveç kësaj, ish-strehëzat e emergjencës janë shndërruar në apartamente për të ofruar strehim afatgjatë.

“Ishte e qartë për të gjithë se strehimi i vjetër nuk po funksiononte. Duhej ndryshim radikal”, ka treguar Juha Kaakinen e fondacionit.

Të pastrehët kthehen në qiramarrës me kontratë qiraje. Po ashtu duhet të paguajnë qiranë dhe kostot operative.

Punonjësit socialë, të cilët kanë zyra në ndërtesat e banimit, ndihmojnë me çështje financiare si aplikimet për përfitime sociale.

Kaakinen drejton Y-Foundation. OJQ-ja merr kredi me zbritje nga shteti për të blerë banesa. Përveç kësaj, punonjësit socialë që kujdesen për të pastrehët dhe qiramarrësit e ardhshëm paguhen nga shteti.

Fondacioni merr kredi të rregullta edhe nga bankat. Dhe më vonë përdor të ardhurat nga qiraja për të shlyer kreditë.

Politika e aplikuar në Finlandë anulon ndihmën konvencionale për të pastrehët.

Shpesh, të prekurit pritet të kërkojnë një punë dhe të çlirohen nga problemet e tyre psikologjike ose varësitë. Vetëm atëherë ata marrin ndihmë për të gjetur strehim.

Kurse politika e re “Strehimi së pari” u jep të pastrehëve banesë pa asnjë parakusht.

Punonjësit socialë i ndihmojnë ata me aplikimet për përfitime sociale dhe janë në dispozicion për këshillim.

Në një situatë të re, të sigurt, është më e lehtë për ta që të gjejnë një punë dhe të kujdesen për shëndetin e tyre fizik dhe mendor.

Dhe rezultati është mbresëlënës. Katër nga pesë persona të pastrehë janë në gjendje të mbajnë banesën e tyre për një kohë të gjatë dhe të bëjnë një jetë më të qëndrueshme.

Programi, në dhjetë vitet e fundit, ka ofruar 4 mijë e 600 shtëpi në Finlandë.

Nga ana tjetër, krijimi i banesave për njerëzit kushton.

Në 10 vitet e fundit, 270 milionë euro janë shpenzuar për ndërtimin, blerjen dhe rinovimin e banesave si pjesë e programit.

Megjithatë, Kaakinen beson se kjo është shumë më pak se kostoja e vetë të pastrehëve. Sepse kur njerëzit janë në situata emergjente, urgjencat janë më të shpeshta.

Policia, kujdesi shëndetësor dhe sistemet e drejtësisë thirren më shpesh të ndërhyjnë dhe kjo gjithashtu kushton.

Tani, shteti shpenzon 15 mijë euro më pak në vit për të pastrehët se më parë. Ndaj dhe është efektiv në planin afatgjatë.

Vetëm në 20 për qind të rasteve, njerëzit largohen sepse preferojnë të qëndrojnë me miqtë ose të afërmit ose sepse nuk arrijnë të paguajnë qiranë.

Por edhe në këtë rast ata mund të aplikojnë përsëri për një apartament dhe mbështeten përsëri nëse dëshirojnë.

Gratë e pastreha, nga ana tjetër, janë më të vështira për t’u arritur.

Kjo pasi ato e fshehin më shpesh situatën e tyre emergjente, jetojnë më rrallë në rrugë dhe qëndrojnë me miqtë ose të njohurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore