CIA ka përdorur qindra faqe interneti për komunikime të fshehta, të cilat kishin të meta të mëdha dhe mund të ishin identifikuar edhe nga një “detektiv amator”.
Kështu kanë bërë me dije studiuesit e sigurisë të Citizen Lab.
Mendohet se këto të meta kanë çuar në dëmtimin e më shumë se një duzine të burimeve amerikane në Kinë në vitin 2011 dhe 2012. Gjithashtu thuhet se e çuan Iranin të ekzekutonte dhe burgoste agjentë të tjerë të CIA-s.
Ky hulumtim i ri i ekspertëve të sigurisë nisi hetimin e çështjes pasi mori një informacion nga gazetari Joel Schectmann.
Sipas tyre, raporti nuk po publikohet i plotë me detaje teknike të gjetjeve për të shmangur rrezikimin e punonjësve të CIA-s.
Megjithatë gjetjet e kufizuara ngrenë dyshime serioze në lidhje me trajtimin e masave të sigurisë nga agjencia e inteligjencës.
Duke përdorur vetëm një faqe interneti të vetme dhe materiale të disponueshme publikisht është identifikuar një rrjet prej 885 faqesh interneti të përdorura nga CIA.
Dhe se faqet e internetit supozohej se kishin të bënin me lajmet, motin, kujdesin shëndetësor dhe faqe të tjera të ligjshme në internet.
“Duke ditur vetëm një faqe interneti, ka të ngjarë që teksa faqet e internetit ishin në internet, një detektiv amator i motivuar mund të kishte hartuar rrjetin e CIA-s dhe t’ia atribuonte atë qeverisë së SHBA-ve”, ka thënë grupi.
Sakaq, këto faqe kanë qenë aktive midis viteve 2004 dhe 2013 dhe mbase nuk janë përdorur nga CIA kohët e fundit.
Por Citizen Lab ka zbuluar se një pjesë e faqeve ishin të lidhura me punonjësit aktivë të inteligjencës, duke përfshirë një kontraktor të huaj dhe një punonjës aktual të Departamentit të Shtetit.
“Ndërtimi i pamatur i kësaj infrastrukture nga CIA thuhet se çoi drejtpërdrejt në identifikimin dhe ekzekutimin e agjentëve, dhe padyshim rrezikoi jetën e shumë individëve të tjerë”, kanë thënë ekspertët.
Shpresa e tyre është që hulumtimi i tyre dhe procesi i kufizuar i zbulimit të çojnë në përgjegjësi për këtë sjellje të pamatur.
“CIA merr detyrimet e saj për të mbrojtur njerëzit që punojnë me ne jashtëzakonisht seriozisht dhe ne e dimë se shumë prej tyre e bëjnë këtë me guxim, me rrezik të madh personal”, ka treguar zëdhënësja e CIA-s, Tammy Kupperman Thorp.
Origjina e historisë daton në vitin 2018, kur gazetarët Jenna McLaughlin dhe Zach Dorfman raportuan për herë të parë se një sistem i përdorur nga CIA për të komunikuar me agjentë ishte komprometuar nga Irani dhe Kina.
Çka çoi në vdekjen e më shumë se dy duzinave të informatorëve në Kinë në vitin 2011 dhe 2012.
Kështu, Citizen Lab nisi të hetonte çështjen kur mori një informacion nga Schectmann për një burim të CIA-s në Iran, i cili ishte kapur dhe mbajtur shtatë vjet burg pasi përdori një “rrjet fatalisht të pasigurt”.
Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com