Në fund të muajit prill, dy muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, bota kuptoi thellësinë e ndryshimit që pasoi lufta.
Ëndrrat për një zgjidhje të shpejtë avulluan.
Tashmë lufta është “normalizuar” për mrekulli, e pranuar si një proces që do të vazhdojë pafundësisht.
Frika nga një përshkallëzim i papritur dhe i madh do të ndikojë mbi jetën tonë të përditshme.
Në Suedi dhe vende të tjera, autoritetet këshilluan popullsinë që të grumbullonte ushqime për t’i mbijetuar luftës, nëse është e nevojshme.
Filozofi slloven Slavoj Žižek shkruan për këtë në një artikull, për botimin gjerman “Die Welt”.
Ai thekson se ndryshime në qëndrimin ndaj luftës vërehen në të dy anët e frontit.
Në Rusi, biseda për një konflikt global po bëhet gjithnjë e më e fortë. Shefja e agjencisë “Russia Today”, Margarita Simonyan, së fundmi u shpreh se “ose humbim në Ukrainë, ose fillon një luftë e tretë botërore”.
“Personalisht, mendoj se skenari i Luftës së Tretë Botërore është më realist”, shtoi ajo.
Kjo paranojë mbështetet nga teori konspirative të çmendura rreth një “komploti liberal-totalitar nazist-hebre” të kombinuar për të shkatërruar Rusinë.
I pyetur se si Moska mund të flasë për “denazifikimin” e Ukrainës nëse vetë presidenti i saj Volodymyr Zelensky është me origjinë hebreje, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u përgjigj se Hitleri gjithashtu duket se ka pasur gjak hebre.
Dhe, fakti që Zelensky është hebre, nuk do të thotë absolutisht asgjë. Populli i mençur hebre thotë se antisemitët më të hidhur janë zakonisht vetë hebrenjtë.
Nga ana tjetër, veçanërisht në Gjermani, po shfaqet një version i ri i pacifizmit.
Nëse e kapërcejmë të gjithë retorikën e lartë dhe përqendrohemi në atë që po bën në të vërtetë Berlini, del një mesazh shumë i qartë.
“Duke pasur parasysh interesat tona ekonomike dhe rrezikun e konfliktit ushtarak, ne nuk duhet ta mbështesim shumë Ukrainën, edhe nëse kjo do të thotë të na përpijë Rusia”.
Gjermania ka frikë të kalojë kufirin, përtej së cilës Moska do të “zemërohet me të vërtetë”. Por vetëm Vladimir Putin vendos se ku kalon kjo vijë çdo ditë.
“Të luash me frikën pacifiste perëndimore është baza e strategjisë së tij”, thotë Žižek.
Bast mbi vetëkënaqësinë
Natyrisht, të gjithë duan të parandalojnë fillimin e një lufte të re botërore.
Por, ndonjëherë, kujdesi i tepruar vetëm inkurajon agresorin, i cili nga natyra e tij gjithmonë pret që viktima e tij të mos mbrohet.
Prandaj, për të parandaluar shpërthimin e një lufte më të madhe dhe për të krijuar njëfarë frenimi, Perëndimi duhet të vendosë vija të qarta. Por, deri më tani, ai ka bërë të kundërtën.
Kur Putin-i sapo po përgatitej për të nisur luftën kundër Ukrainës, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, tha se administrata e tij dëshironte së pari të shihte nëse Kremlin-i do të ndërmerrte një pushtim “të kufizuar” apo një pushtim total.
Sigurisht, nënkuptimi i kësaj deklarate ishte se një akt “i vogël” agresioni do të konsiderohej i pranueshëm.
“Ndryshimet e fundit në qëndrim po zbulojnë një të vërtetë të thellë të errët për pozicionin perëndimor. Ndërsa më parë shprehëm frikën se Ukraina do të shkatërrohej shpejt, në realitet kishim frikë nga e kundërta: se pushtimi do të vazhdonte pa fund”.
Do të ishte shumë më e përshtatshme nëse Ukraina do të humbiste shpejt, duke na lejuar të zemërohemi, të vajtojmë humbjen dhe më pas t’u ktheheshim punëve si zakonisht.
“Ai që duhet të ishte lajm i mirë – një vend më i vogël që lufton papritur dhe heroikisht kundër brutalitetit të një agresori më të madh – është bërë burim problemesh, për të cilat ne nuk dimë se çfarë të bëjmë”, shkruan Žižek.
E majta pacifiste në Evropë paralajmëron kundër një ringjalljeje të shpirtit heroik luftarak të gjeneratave të mëparshme.
Filozofi gjerman, Jurgen Habermas, madje, akuzoi Ukrainën për “shantazh moral” të Evropës.
Ka diçka thellësisht melankolike në pozicionin e tij.
Habermas e di mirë se Evropa e pasluftës ishte në gjendje të harronte militarizmin, vetëm sepse jetoi për një kohë të gjatë nën ombrellën e sigurt bërthamore të Shteteve të Bashkuara.
Por rikthimi i luftës në kontinent thotë se kësaj periudhe i ka ardhur fundi. Dhe pacifizmi i pakushtëzuar do të kërkojë kompromise morale gjithnjë e më të thella.
Après Le Déluge (Pas nesh, përmbytja)
Në frëngjisht, ndryshimi midis frikës së deklaruar dhe asaj reale ndërtohet lehtësisht në të ashtuquajturën ne explétif, domethënë “jo”.
Në vetvete nuk do të thotë asgjë, sepse përdoret për arsye sintaksore ose shqiptimi.
Zakonisht përdoret në marrëdhëniet kontraktore komplekse pas një foljeje me konotacion negativ.
Në fakt, roli i një “Jo-je” të tillë është të nxjerrë në pah aspektin negativ të asaj që i del përpara.
Elle doute qu’il ne vienne, d.m.th. “Ajo dyshon se ai nuk do të vijë”.
Ose Je te fais confiance à moins que tu ne me mentes – “Unë të besoj nëse nuk më gënjen”.
Psikanalisti francez, Jacques Lacan, përdori shembullin e ne explétif për të shpjeguar ndryshimin midis të dëshiruarit dhe të qenurit i dëshiruar.
Kur njeriu thotë: “Kam frikë se mos fillon stuhia”, me vetëdije shpreh dëshirën që telashet të mos fillojnë. Por, dëshira e vërtetë vendoset në “Jo”-në e shtuar: “Kam frikë se mos nis stuhia, sepse më magjeps forca e saj fshehurazi”.
Diçka si ne explétif-i francez vlen edhe për frikën e Evropës, për të ndërprerë furnizimet me gaz nga Rusia.
Leximi i ne explétif fjalë për fjalë, duke vepruar në kundërshtim me “jo”-në e deklaruar, është ndoshta shprehja më e madhe e lirisë politike sot.
Për shembull, merrni parasysh pretendimin propagandistik të Kremlinit se ndalimi i importeve të gazit rus do të ishte një vetëvrasje ekonomike për Evropën.
Por duke pasur parasysh atë që duhet bërë për t’i vënë shoqëritë evropiane në një rrugë drejt një qëndrueshmërie më të madhe, a nuk do të ishte ky një çlirim?
“Për të parafrazuar Kurt Vonnegut, ne nuk duhet të hyjmë në histori si shoqëria e parë që nuk shpëtoi veten, sepse ishte e padobishme”, shpjegoi në përmbyllje filozofi slloven.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com