Aplikacione

Facebook dhe Instagram mund të tarifojnë përdoruesit në BE për versionet pa reklama


Kompania Meta po konsideron t’i tarifojë përdoruesit në BE 13 euro në muaj për të hyrë në një version pa reklama të Instagram-it ose Facebook-ut në telefonat e tyre.

Lëvizja vjen teksa kompania përballet me presionin rregullator se si i përdor të dhënat e njerëzve.

Po ashtu Meta po peshon një tarifë prej 17 eurosh për të përdorur dy aplikacionet e veta pa reklama në desktop.

Sakaq, qasja në të dy aplikacionet në telefonat inteligjentë do të kushtonte rreth 19 euro në muaj.

Ndërkohë, kompania po shqyrton akuzat pas një vendimi të korrikut nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, më e larta në BE.

Gjykata me qendër në Luksemburg deklaroi se sipas Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Evropës (GDPR) Facebook-u nuk mund të justifikojë përdorimin e të dhënave personale për të synuar njerëzit me reklama të personalizuara.

Kjo, përveç nëse merr miratimin e tyre më parë.

Përdorimi i tarifave të abonimit si një alternativë u diskutua në vendimin e gjykatës, i cili ngriti mundësinë e tarifimit të një “tarifë të përshtatshme” për të hyrë në një version pa reklama.

Meta po diskuton planet e saj me Komisionin e Mbrojtjes së të Dhënave të Irlandës, i cili rregullon biznesin në të gjithë BE-në, sepse baza rajonale e Meta-s është në Dublin, dhe me zyrtarët evropianë në Bruksel.

Një zëdhënës i Meta-s ka thënë se firma “beson në vlerën e shërbimeve falas, të cilat mbështeten nga reklama të personalizuara”.

“Megjithatë, ne vazhdojmë të eksplorojmë opsionet për t’u siguruar që jemi në përputhje me kërkesat rregullatore në zhvillim. Nuk kemi asgjë më shumë për të ndarë në këtë moment”, ka shtuar ai.

Ligjet e reja gjithëpërfshirëse kanë hyrë gjithashtu në fuqi në BE me synimin për të rregulluar praktikat konkurruese të kompanive të mëdha të teknologjisë, me përdorimin e të dhënave personale për reklamim të synuar midis modeleve të biznesit të prekur.

Sipas legjislacionit të BE-së për Tregjet Digjitale, platformat e Meta-s do të duhet të marrin pëlqimin e qartë përpara se të gjurmojnë një përdorues për qëllime reklamimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore