Shqipëria

Evropa nuk u ndërtua për një epokë lufte


Bashkimi Evropian (BE) lavdërohet si projekti më i madh i paqes në histori.

Kjo tingëllon bukur madje edhe idealiste.

Tani, megjithatë, kontinenti është përsëri në luftë – jo brenda unionit, pa dyshim, por pikërisht në skajin e saj.

Çfarë të ardhme do të ketë projekti më i madh i paqes në këtë epokë të re?

Kjo është një pyetje që kolumnisti, Andreas Kluth, ia drejtoi vetes ndërsa kthehej në SHBA pas 11 vitesh jetese në Berlin, ku mbuloi për prestigjiozen “Bloomberg” Gjermaninë dhe BE-në.

“Evropianët”, tha dikur një ministër i Jashtëm gjerman, “janë vegjetarianë në një botë mishngrënëse”.

Sa kohë mund të mbijetojnë barngrënësit, kur grabitqarët nisin gostinë?

Gjermania është një pikë e mirë për të vëzhguar naivitetin me të cilin disa evropianë (kryesisht perëndimorë) këmbëngulnin – përpara se presidenti rus, Vladimir Putin, të sulmonte Ukrainën – se “ne jemi të rrethuar nga miq”.

Evropa, sipas tyre, kishte tejkaluar mentalitetin e saj të vjetër militarist.

Jo vetëm kaq, ajo ishte në rrugën e saj për t’u bërë një lloj tjetër superfuqie – e tregtisë, e rregulloreve, e vlerave dhe qytetërimit.

Por, jo të gjithë evropianët mendonin kështu.

Anëtarët relativisht të rinj në Evropën Qendrore dhe Lindore që dikur ishin nën thembrën e Moskës – vende si Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia – kanë “vuajtur” nga verbëria e qëllimshme e fqinjëve të tyre perëndimorë ndaj potencialit agresiv të Kremlinit.

Ata ishin të inatosur pasi Gjermania kaloi dy dekada duke u përqafuar me Putin-in dhe duke e bërë veten të varur nga hidrokarburet e tij.

Kjo vijë e ndarjes midis lindjes dhe perëndimit, shumë kohë përpara pushtimit të Putin-it në vitin 2022, e ndau BE-në në një drejtim, ndërsa një çarje tjetër, e ekspozuar nga kriza e euros, po ndante veriun dhe jugun e saj.

Veriu (i cili përfshinte Mbretërinë e Bashkuar deri sa doli nga blloku) priret të jetë më i orientuar drejt tregut, i fortë ekonomikisht, konservator nga ana fiskale dhe kulturalisht protestant.

Jugu është më shumë korporatist dhe kulturalisht katolik ose ortodoks.

Ukraine war, pandemic set to speed Europe's green energy transition, report finds | Reuters

Evropianët, me sa duket, ndërtuan vendbanimin e tyre të përbashkët në majë të pllakave tektonike, që janë gati për shkëputje.

Më e thella nga këto shkëputje sot është midis anëtarëve që barazojnë BE-në me demokracinë liberale dhe të tjerëve – veçanërisht Hungarisë dhe Polonisë – të cilët minojnë gjithnjë e më shumë sundimin e ligjit.

Dhe ato përplasen shpesh.

Fërkime të tilla ishin që në fillim.

Gjermanët Perëndimorë të pasluftës, për shembull, e panë integrimin evropian si një mënyrë për të rihyrë në qytetërimin perëndimor pas krimeve të tyre naziste.

Si pjesë e shlyerjes së tyre post-nacionaliste, ata jo vetëm që ishin të gatshëm, por të etur për t’i dorëzuar sovranitetin “Evropës”.

(Nëse ata janë ende është një çështje tjetër.)

Francezët e panë “Evropën” si një mënyrë për të vazhduar projektimin e fuqisë kombëtare nëpërmjet Brukselit, në një kohë kur ata po humbnin perandorinë dhe statusin e tyre global.

Ky është ende nënteksti sot sa herë që presidenti francez, Emmanuel Macron, flet për “autonominë” evropiane, por në të vërtetë nënkupton pavarësinë e udhëhequr nga Franca.

Ah, SHBA-të.

Është një ironi shpesh e anashkaluar që Amerika ka bërë më shumë për integrimin evropian se çdo vend tjetër.

Gjatë Luftës së Ftohtë, mburoja e saj ushtarake dhe bërthamore, në formën e NATO-s, e trembi Kremlinin, në mënyrë që evropianët perëndimorë të mund të pajtoheshin dhe të ndërtonin diçka të re.

Dhe kjo është ende e vërtetë sot.

Kjo është arsyeja pse presidenca e Donald Trump-it ishte një tronditje e tillë për evropianët.

I trembi ata më shumë se referendumi i Brexit në 2016-ën.

Më shumë se kriza e refugjatëve që ndodhi në të njëjtën kohë.

Më shumë se kriza e euros e cila nuk kishte përfunduar ende.

Më shumë, madje, se aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Putini dy vjet më parë dhe lufta hibride që ai po bënte tashmë në Ukrainën lindore.

Secila nga këto kriza ekspozoi një cenueshmëri të ndryshme të BE-së.

Por të kesh Trump-in ose dikë si ai në Shtëpinë e Bardhë – atëherë ose në 2025 – mund të shkatërrojë bllokun.

Trump-i refuzoi të luante atë rol të vjetër atëror.

Ishte e kuptueshme që ai ishte i ngopur duke paguar për të mbrojtur Evropën, kur evropianët, dhe veçanërisht gjermanët, shpesh ishin frenuar.

Por reagimi i Trump-it minoi aleancën.

Njëkohësisht, ai iu afrua Putin-it më shumë si mik sesa armik.

Trump-i e bëri të qartë se ai nuk shihte asnjë vlerë të brendshme në NATO – dhe, si rrjedhojë, as në “Perëndim”.

Ai hodhi dyshime mbi angazhimin e tij ndaj klauzolës së mbrojtjes reciproke të aleancës dhe madje po mendonte të tërhiqte SHBA-të nga NATO-ja.

Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, evropianëve iu desh të mendonin për një kontinent pa praninë amerikane.

Ukraine Crisis: European Union Remains Divided and Weak | Time

Papritur, barngrënësit evropianë u kujtuan se kishin dhëmballë.

Tronditja tjetër e madhe erdhi kur Putin-i nisi luftën e tij pushtuese gjenocidale kundër Ukrainës.

Me një goditje, ai e ktheu Evropën në një epokë më të hershme dhe më të errët.

Konsensusi për të respektuar rregullat, normat dhe kufijtë ishte zhdukur.

Në vend të kësaj ishte edhe një herë agresioni imperialist i pamëshirshëm dhe anarkik.

Në një farë mase, sulmi i Putin-it bëri që si Evropa ashtu edhe Perëndimi të tërhiqeshin së bashku.

Finlanda tani është pjesë jo vetëm e BE-së, por edhe e NATO-s, dhe Suedia, me shpresë do ta ndjekë.

Gjermania – të paktën në mënyrë retorike – ka braktisur demilitarizimin e saj të gjatë.

Vende si Italia që dikur ishin komode me Kremlinin janë rreshtuar kundër Rusisë.

Por BE-ja është larg bashkimit.

Putin-i ka ende simpatizues atje, të cilët rikthejnë dezinformatat e Kremlinit.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, një epigon i Putin-it, bllokon ose ngadalëson sanksionet e BE-së ndaj Rusisë sa herë që mundet.

Nëse lufta në Ukrainë zgjatet, Evropa do të fillojë të lëkundet.

Pushtimi i Putin-it ka ekspozuar gjithashtu vegjetarianizmin e Evropës.

Pavarësisht bisedave të përsëritura që nga vitet 1950 për një “Ushtri Evropiane”, ajo nuk do të arrijë kurrë asgjë.

Në vend të kësaj, në mbështetjen e Ukrainës, Evropa është futur edhe një herë nën kujdesin e vjetër amerikan.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, në fakt e vuri këtë si kusht.

Ai pranoi të dërgonte tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman në Ukrainë vetëm nëse amerikanët dërgonin gjithashtu M1 Abrams të tyre.

Nëse SHBA-të do të lëkunden ndonjëherë në mbështetjen e Kievit – në një mandat të dytë të Trump, le të themi – Evropa do të humbiste zemrën.

Ky është realiteti teksa dhe BE-ja përballet me dilema të ndryshme që mund të duken të pakuptimta, por janë dilema gjermane.

Një pyetje është nëse Evropa duhet të përpiqet të kthehet në rrugën e saj të “bashkimit gjithnjë e më të ngushtë”.

Një polemikë e dytë ka të bëjë me zgjerimin.

BE-ja është zgjeruar nga gjashtë anëtarë themelues në vitet 1950 në 27 sot.

Tetë të tjerë janë kandidatë zyrtarë për t’u bashkuar, dhe dy të tjerë konsiderohen kandidatë potencialë.

Unioni tashmë është i vështirë për t’u menaxhuar.

Duket se BE-ja, në Bruksel, mund të thellohet ose të zgjerohet, por jo të dyja.

Për më tepër, BE-ja vitet e fundit ka vënë re se ka ndikim mbi Qeverisjen e vendeve ndërsa ato janë kandidate, por jo pasi të jenë anëtarë.

Bullgarisë po i tolerohet korrupsioni.

Hungaria po shkon nga demokraci në autokraci.

Over 8.1 Million Ukrainian Refugees Have Fled to EU Countries Since War Started - SchengenVisaInfo.com

Frika tani është se vende të tilla si Serbia, Shqipëria, Moldavia apo edhe Ukraina gjithashtu mund të “rrëshqasin” pasi të bashkohen, duke zvarritur standardet në të gjithë bllokun.

Megjithatë, gjeopolitika e kësaj epoke të re duket se kërkon zgjerimin e BE-së.

Për vendet e mbetura të Ballkanit, anëtarësimi mund të jetë mënyra më e mirë, ose e vetmja, për të dalë nga grindjet etnike.

Nëse do të refuzoheshin, ata mund të merrnin përsëri armët kundër njëri-tjetrit ose të hidheshin në përqafimin gjeopolitik të Rusisë apo Kinës autokratike.

Është thënë se Rusia është stuhia, ndërsa Kina është ndryshimi i klimës.

Evropianët sapo kanë filluar të vërejnë se rrezikojnë të lidhen ekonomikisht me Kinën ashtu siç vareshin nga energjia ruse deri vonë.

Megjithatë, ndërsa mendojnë për pasojat, ata ende po ndajnë shapin nga sheqeri.

Ata, nga miqtë e Evropës, që po e shikojnë këtë më nga afër dhe me nervozizëm janë edhe një herë amerikanët.

Ata kanë shpresuar prej kohësh që të “përqendrojnë” vëmendjen dhe burimet e tyre nga Atlantiku në Paqësor, duke kuptuar se evropianët do të kujdeseshin për lagjen e tyre.

Në vend të kësaj, evropianët duken ende të pafuqishëm në rreshtimin pas SHBA-ve në Azi.

Një frikë që përshkon kryeqytetet nga Brukseli, Parisi dhe Berlini deri në Washington, New Delhi, Jakarta dhe Brasilia është se epoka e re e politikës së pushtetit do të kërkojë vendime strategjike.

Përballë një sulmi kinez në Tajvan në të njëjtën kohë me agresionin rus në Evropë, për cilin do të bënte më shumë Amerika?

A do të ishin evropianët atje për një luftë edhe në Azi?

A do të zgjidhte më në fund anën e saj pjesa tjetër e botës – e ashtuquajtura Jug Global?

BE-ja do të mbetet një konfederatë e maskuar si një federatë dhe ndoshta do të kthehet në një zonë të thjeshtë tregtare.

As, pas kaq shumë dekadash, evropianët nuk do të shndërrohen në mishngrënës që mbajnë larg grabitqarët.

Kjo do të thotë se fati i tyre, në fund të fundit, mund të vendoset diku tjetër – diku midis Washingtonit, Moskës dhe Pekinit.

Projekti më i madh i paqes në botë, i cili ka frymëzuar për kaq shumë kohë, mund të përfundojë si kaq – një projekt, siç shumë kemi lexuar në librat e historisë.

Një analizë e shkruar nga Andreas Kluth, kolumnist i Bloomberg Opinion që mbulon politikën evropiane – përshtatur për Albanian Post 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore