Kosova

“Është tentativë e pavlefshme” – Ndërkombëtarët e kishin paraparë lëvizjen e Kurtit për shqyrtim të draftit në mekanizma ndërkombëtarë


Ilustrim: Albin Kurti, Emmanuel Macron, Giorgia Meloni dhe Olaf Scholz

Në letrën e dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, e cila mban firmën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, nuk ishte mbështetur propozimi i Kurtit që draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – e hartuar nga Bashkimi Evropian – të dërgohet për shqyrtim në juristët eminentë të Këshillit të Evropës apo në Komisionin e Venecias.

Në letrën e 15 majit, të cilën e kishte siguruar Albanian Post, Franca, Gjermania dhe Italia theksonin se “dorëzimi i këtij drafti tek ekspertët e Këshillit të Evropës nuk do të përbënte një hap të domosdoshëm vendimtar, pasi opinioni i tyre nuk do të jetë ligjërisht i detyrueshëm”.

Kurti, në një intervistë për A2 CNN, tha se për Qeverinë e Kosovës draft-statuti modern evropian nuk është asgjë tjetër përveç se një “non-paper”.

“Është një dokument punues që nuk ka as logo, as vulë, e as nënshkrim, nuk mundemi ne një non-paper ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese”, tha ai.

Ai madje shpjegoi se i kishte ofruar ndërkombëtarëve një rrugëdalje që në vlerësimin e tij “është më e logjikshmja dhe racionalja” në situatën ku ata insistojnë në draftin që tashmë e quan të “Lajçak-ut”.

“Dërgojeni në një instancë ndërkombëtare, mund të jenë juristët eminentë të Këshillit të Evropës mund të jetë Komisioni i Venedikut, por jo në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, shtonte ai.

Me konstatimin se ky draft nuk është vendor, Kurti potenconte se në Gjykatë Kushtetuese “ne dërgojmë dokumente që janë vendore”.

Megjithatë, Macron, Scholz e Meloni, në letër kishin nënvizuar faktin se ky draft-statut duhet të dërgohet vetëm në Kushtetuese.

“Kjo [ligjshmëria] mund të arrihet vetëm duke e dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në mënyrë që të jetë e pranueshme për Gjykatën”, vazhdonte letra, duke shtuar se “siç u sqarua me Brukselin, nuk ka pengesa ligjore në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për marrjen e këtij hapi”.

Propozimin e Kurtit, të premten e komentoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas saj kjo ide nuk është prezantuar formalisht, veçse është një deklaratë në media.

“Nuk kam parë një ide të tillë të prezantuar formalisht, kurdo që prezantohet tek institucioni i Presidentes si kreu i shtetit dhe si udhëheqëse e politikës së jashtme e shqyrtoj dhe pastaj ju njoftoj. Ide që prezantohen në media nuk mund t’i shoh si formalisht të prezantuara”, ka thënë ajo në një prononcim për media.

Lidhur me këtë propozim, Osmani ka nënvizuar faktin se Kushtetuta e Kosovës ja jep të drejtën asaj si presidente ta përcaktojë objektivat e politikës së jashtme.

“Kurdo që prezantohet një ide e tillë do ta shqyrtojë. Është me rëndësi që çdo propozim dhe çdo ide të analizohet vetëm në kontekst të interesave të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ajo.

“S’është Zajednicë”, “është i mirë”, “është i avancuar”, “e respekton germën e Kushtetutës” – çfarë ndodhi që tash Kurti po e quan një “non-paper” draftin evropian të Asociacionit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore