Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po kërkon një takim me Kamala Harris në New York përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme.
Kjo, në një përpjekje të hershme për të mbështetur një përmirësim të kohëve të fundit në raportet mes Turqisë dhe SHBA-ve.
Lajmi u bë i ditur nga kompania mediatike “Bloomberg”.
Udhëheqësi i Turqisë po pret një përgjigje nga kandidatja demokrate për president, e cila pritet të jetë në New York për një ngjarje për mbledhje fondesh të dielën, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje.
Erdogan është gjithashtu i hapur për takim me kandidatin për zëvendës president, Tim Walz, sqaruan burimet për Bloomberg.
Zyra e Erdogan-it dhe Ministria e Jashtme turke nuk pranuan të komentojnë, raporton Bloomberg.
Turqia dhe SHBA-të janë në bisedime për të përmirësuar lidhjet nga mbrojtja në energji, pas ratifikimit nga Ankaraja të anëtarësimit të Suedisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në fillim të këtij viti.
Aleatët e vjetër mbeten të ndarë rreth blerjes nga Turqia të mbrojtjes ajrore ruse dhe sanksioneve të SHBA-ve që synonin industrinë e saj të mbrojtjes për blerjen, si dhe Sirinë dhe Izraelin.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com