Sport

“Episod racist”, ndërpritet miqësorja Qatar-Zelandë e Re


Ekipi kombëtar i futbollit të Zelandës së Re u largua nga një miqësore kundër Qatar-it të hënën në Vjenë.

Kjo, duke akuzuar një lojtar katariot për sharje raciste ndaj një prej lojtarëve neozelandez.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “AFP”.

“Michael Boxall ishte viktimë e një fyerjeje raciste në pjesën e parë nga një lojtar i Qatar-it”, shkroi në Twitter Federata e Zelandës së Re për të justifikuar faktin që lojtarët e saj nuk u kthyen në lëndinë pas pjesës së parë.

Sipas tyre, arbitri i ndeshjes nuk reagoi, prandaj skuadra zgjodhi të mos kthehej për të luajtur në periudhën e dytë të lojës.

Trajneri portugez i Katarit, Carlos Queiroz, ka folur nga ana e tij në anglisht në mikrofonin e kanalit të Qatar-it, Al-Kass.

“Për habinë tonë, kapiteni i Zelandës së Re erdhi tek ne për të na thënë se ekipi i tij nuk do të rifillonte lojën”, tha ai.

“Me sa duket dy lojtarë kanë shkëmbyer fjalë në fushë. Kush filloi, kush u përgjigj? E dinë vetëm ata (…) Nuk ka dëshmitar, arbitri nuk ka dëgjuar asgjë, as pankinat. Është vetëm një debat mes dy lojtarëve”, vazhdoi ai.

“Tani le të marrin një vendim autoritetet e futbollit (…) Por pa dëshmitarë, nuk e di se si do të mund të marrë një vendim FIFA”, shtoi Queiroz.

Zelanda e Re kryesonte 1-0 në pushimin e ndeshjes.

Të hënën, një ndeshje miqësore midis U21 të Irlandës dhe U22 të Kuvajtit, gjithashtu në Austri, u ndërpre përfundimisht pas fyerjeve raciste ndaj njërit prej lojtarëve në stol.

Irlandezët kryesuan 3-0 në momentin e ndërprerjes, në pjesën e dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore