Emmerson “detyron” dëshmitarin ta pranojë se ka gabuar në raportin e tij për vrasjen e civilëve nga UÇK-ja
Të mërkurën në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon dëshminë zyrtari i organizatës ndërkombëtare jo-qeveritare që kryen kërkime dhe avokon mbi të drejtat e njeriut – Human Rights Watch, Frederick Abrahams.
Abrahams në cilësi të dëshmitarit të 22-të në këtë çështje, i cili dëshminë e ka filluar ditën e djeshme, duke u përgjigjur pyetjeve të prokurorit të specializuar Alan Tieger, të mërkurën po merret në pyetje nga trupi mbrojtës më konkretisht nga avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe dhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.
Emmerson gjatë parashtrimit të pyetjeve ka kundërshtuar konstatimet e Abrahams, për “vrasjen e civilëve nga UÇK në shtator të vitit 1998”.
Gjatë marrjes në pyetje, Emmerson ka kërkuar që Abrahams të pranoi se ka gabuar në raportin e tij kur ka bërë konstatime të tilla, e për më tepër, nga burime serbe që nuk i kishte hetuar e konfirmuar.
Abrahams ka dokumentuar të drejtat e njeriut dhe shkeljet e ligjeve të luftës në Kosovë, Shqipëri, Bangladesh, Irak, Libani, Sri Lanka, Siri dhe Izrael.
Ai ka qenë autor i një sërë raportesh, artikujsh dhe opinionesh mbi të drejtat e njeriut dhe është bashkautor i librit “Village Destroyed: War Crimes in Kosovo”, libër ky i cili trajton Masakrën e Qyshkut të 14 majit të vitit 1999.
Avokati Emmerson ndër të tjera e ka pyetur Abrahams se a i ka marrë këto pretendime për vrasjen e civilëve nga UÇK-ja nga pala serbe?
“PO”, ishte përgjigja e tij.
“Kur thoni vrasja e shtatorit të 1998-ës, a e kuptuat se në aktakuzë nuk ka vrasje në shtator”, ka pyetur Emmerson ndërsa Abrahams është arsyetuar duke thënë: “është formuluar keq”.
Emmerson ndër të tjera ka potencuar se Abrahams do të duhet ta bënte dallimin mes provave dhe vlerësimit të mjekësisë ligjore meqë sipas tij i vetmi vlerësim i saktë gjithë në këtë mesë “është se janë gjetur trupa të pajetë në Gllogjan në fund të 1998-së”.
“Fjalia duhej të ishte shkruar ndryshe, për pretendime se janë vrarë nga UÇK. Unë mund të të flas për një rast tjetër, për një pretendim”, i është përgjigjur Abrahams.
Një pjesë e bisedës Emmerson – Abrahams.
Emmerson: Ju nuk keni bërë hetime sa i përket pretendimeve të autoriteteve serbe?
Abrahams: S’kemi bërë hetime në tërësi. E kam përmendur këtë, por nuk është reflektuar në mënyrë të saktë. Ne asnjëherë nuk e kemi prezantuar rastin e Gllogjanit në Liqenin e Radoniqit.
Emmerson: Ju nuk keni shkuar në vendngjarja apo jo?
Abrahams: Ne shkuam në vendin e krimit. U përpoqëm që të shkonim në Liqe. Kur shkuam ne trupat ishin larguar dhe po mbaheshin në një morg të sajuar dhe ne nuk u lejua të hynim aty.
Emmerson: Por, ju nuk shkuat te Liqeni?
Abrahams: Jo, nuk shkuam atje. Shkuam te morgu i improvizuar.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com