Muzikë

Eminem kërkon që Vivek Ramaswamy të ndalojë së përdoruri muzikën e tij gjatë fushatës


Rep artisti ikonik, Eminem ka kërkuar që sipërmarrësi dhe autori, Vivek Ramaswamy, njëherësh kandidat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërpresë përdorimin e muzikës së tij gjatë fushatës.

Në një letër të zbuluar nga DailyMail, transmeton AlbanianPost, një përfaqësues i botuesit të rep artistit, i tha avokatit të kandidatit presidencial republikan se Eminem, emri i vërtetë i të cilit është Marshall Mathers III, kundërshtoi përdorimin e kompozimeve të tij nga Ramaswamy dhe po revokonte një licencë për t’i përdorur ato.

Letra, e datës 23 gusht, u bë publike disa javë pasi Ramaswamy, 38 vjeç, një investitor financiar dhe i sapoardhur në politikë, bëri një performancë të improvizuar të “Lose Yourself” nga Eminem në Panairin e Shtetit të Lowa-s, duke mahnitur shumë republikanë, e duke siguruar një farë fame në internet.

Ramaswamy gjithashtu tërhoqi vëmendjen, në debatin e parë republikan në Wisconsin. Performanca e tij e zemëruar dhe befasuese, duke përfshirë përplasjet me kandidatët e tjerë dhe një pretendim se “agjenda e ndryshimeve klimatike është një mashtrim”, mori një mbulim të rëndësishëm mediatik.

The Guardian ka raportuar se si pretendimet e Ramaswamy-t për të qenë një i huaj politik qëndrojnë në kontrast me lidhjet e thella me donatorët dhe ndikuesit e djathtë, duke përfshirë Peter Thiel dhe Leonard Leo.

Dashuria e Ramaswamy për repin, dhe për Eminem në veçanti, është raportuar gjerësisht. Kur ai ishte student në Harvard, sipërmarrësi i ardhshëm i bioteknologjisë reponte me emrin “Da Vek”.

Ai gjithashtu tha për Crimson, gazetën e kampusit të Harvardit, se “Lose Yourself by Eminem” ishte tema e tij personale.

“Unë e konsideroj veten një kundërshtar. Më pëlqen të debatoj”, tha ai aso kohe.

Në letrën e tij drejtuar fushatës Ramaswamy, Broadcast Music, Inc (BMI) tha se “do të konsiderojë çdo performancë të veprave të Eminem nga fushata Vivek 2024 nga kjo datë e tutje si një shkelje materiale e marrëveshjes për të cilën BMI rezervon të gjitha të drejtat dhe mjetet juridike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore