Kosova

Emërohen anëtarët e Bordit të “Trainkosit” dhe KRU “Mitrovica”


Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e të mërkurës ka miratuar vendimin për emërimin e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes “Trainkos”, dhe po ashtu edhe anëtarët e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se kryesues i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes “Trainkos”, do të jetë Jetmir Nuka.

Ndërkaq, anëtarë të bordit janë emëruar Vjollca Salihu, Luljeta Lutfiu, Ruzhdi Zeqiri, Kimete Fazliu dhe Afrim Bulluti.

“Mandati i të emëruarve zgjatë tri vjet”, tha kryeministri.

Ndërsa, Aurora Dinajn, është emëruar anëtare e Bordit të drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

Në mbledhje është miratuar edhe inicimi i procedurës për shpronësimin e pronës së paluajtshme për realizimin e Projektit për konservimin dhe restaurimin e shtëpisë së Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar para ministrave se një pjesë e mjeteve të pashpenzuara nga korniza e Bashkimit Evropian në vitin 2023, do të shfrytëzohen për projekte të tjera.

“Një pjesë e këtyre mjeteve janë shpenzuar, por meqenëse është grant i dedikuar dhe nuk mund të shpenzohet për çështje të tjera nevojitet që të bartet në mënyrë që të bëhet shpenzimi ashtu edhe siç është dakorduar edhe me Bashkimin Evropian”.

“Pra, bëhet fjalë për 22 milionë e 738 mijë euro, mjete të cilat barten në kontingjencën për energji dhe pastaj mund të ndahen në kuadër të masave që janë paraparë mes BE-së dhe Kosovës”, ka thënë Murati.

Ai tutje ka shtuar se ky buxhet do të ndahet në dy pjesë.

5 milionë do t’i dedikohen ministrisë së Ekonomisë dhe 11 milionë tjetër në ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve tek programi ndihma sociale.

Kryeministri Kurti, para ministrave paraqiti edhe shqyrtim propozimin për të kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhënien e autorizimit ministrit të Mbrojtjes për nënshkrimin e marrëveshjes “Kornizë ushtarake ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Turqisë”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në fjalimin e tij para ministrave ka treguar rëndësinë e kësaj marrëveshje.

“Shkëmbim të personelit, materialeve, pajisjeve, informacioneve dhe përvojës, stërvitje dhe edukim ushtarak, arsimim, shkëmbim i inteligjencës ushtarake, si dhe fusha të tjera me interes për të dyja palët. Aprovimi i këtij nënshkrimi është hap për vazhdimin e kësaj marrëveshje”, tha Maqedonci.

Ky propozim është miratuar nga ministrat e Qeverisë, pa asnjë kundërshtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore