Kosova

Elshani për garën e kërcimit në Ujman: Për ne është detyrë, dikush mund ta shoh si provokim


Liqeni i Ujmanit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, në ditën memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës ka thënë se për të realizuar aktivitetin e kërcimit në nderim të tyre ka pasur siguri të mjaftueshme.

Ai në një deklaratë para gazetarëve ka theksuar se për çdo gjë që do të ketë nevojë për ndërhyrje do të jenë aty.

“Ju e dini që për numra nuk flasim për plane operacional, mirëpo ka pasur policë të mjaftueshëm. Siguria ka qenë në nivel dhe vazhdon të jetë në nivel”.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Elshani, ka vlerësuar se kërcime të këtij lloji s’janë bërë asnjëherë në të kaluarën, duke thënë se dikush mund ta sheh si kërcënim

“Dikush mund ta shoh si provokim, por për neve është vetëm detyrë. Kjo ceremoni që po e shihni dhe këto kërcime që janë bërë sportive unë e konsiderojë që nuk janë bërë asnjëherë”, ka thënë Elshani.

Në këtë ditë, para 13 vitesh, kishte rënë hero polici Enver Zymberi, pasi që ishte vrarë gjatë një aksioni që Policia e Kosovës kishte pasur në Veri të vendit, për të shtrirë sovranitetin në atë pjesë të Kosovës.

Zymberi, oficer i Policisë së Kosovës, ishte vrarë në përballje me një grup serbësh të armatosur në Veri, gjatë operacionit të 25 korrikut të forcave kosovare për të rimarrë kontrollin në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Qendra e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë “Belvedere”, do të mbajë emrin e zyrtarit policor, Enver Zymberi, i vrarë në më 25 korrik të vitit 2011 nga një sulm i armatosur me snajper në pjesën veriore të territorit të banuar me serbë etnikë.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore