Kosova

Elezi: Votuesve nuk do t’iu kërkohet dëshmia e vaksinimit


Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Në ditën e zgjedhjeve votuesve të cilët do të shkojnë për të votuar, nuk do t’iu kërkohet të dëshmojnë se a janë të vaksinuar, por kjo nuk do të vlejë për komisionerët dhe vëzhguesit, për të cilët masat janë më rigoroze.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të kërkojë nga votuesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar apo se kanë rezultuar negativ në testin për Covid-19. Nga votuesit, KQZ kërkon zbatimin e masave që tashmë janë të njohura. Këto masa, të cilat kanë ardhur si rekomandime dhe këshilla nga institucionet shëndetësore, janë miratuar nga KQZ-ja në udhëzimin për masat që duhet të zbatohen nga votuesit dhe stafi zgjedhor në ditën e zgjedhjeve”, thotë ai për EO.

Ndërsa shton se, “sipas udhëzimit të KQZ-së, votuesit duhet të mbajnë distancën fizike 2m gjatë kohës sa janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit. Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit. Në vendvotim do të vendosen edhe dezinfektuesit, të cilët do t’i shërbejnë votuesve për t’i dezinfektuar duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit”.

Zgjedhjet lokale 2021/Ilustrim

Elezi deklaron se ndryshe nga votuesit, stafi zgjedhor do të angazhohet dhe vëzhguesve të subjekteve politike do t’i kërkohet të ofrojnë dëshmi se janë të vaksinuar me njërën nga dozat e vaksinës apo se kanë rezultuar negativ në testin për COVID-19.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një shkresë të veçantë subjekteve politike të cilat janë certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2021. Përmes kësaj shkrese, subjektet politike janë njoftuar se masat e miratuara nga Qeveria e Kosovës, janë të detyrueshme edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, deklaroi ai.

Ai madje thekson se kanë kërkuar nga subjektet politike që të inkurajojnë të gjithë të nominuarit e tyre që të respektojnë masat.

“Prandaj, kemi kërkuar nga subjektet politike që të inkurajojnë të gjithë të nominuarit e tyre, qoftë si staf zgjedhor apo si vëzhgues, që të respektojnë këto masa. Nga anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe nga vëzhguesit, do të kërkohet që të dëshmojnë se kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës apo ta kenë me vete ndonjërin nga testet për Covid-19”, tha Elezi.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore