Lajme

El Salvadori blen 80 Bitcoin me vlerë 19 mijë dollarë secilën, thotë presidenti


Presidenti i El Salvadorit Nayib Bukele

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka blerë 80 Bitcoin me vlerë 19 mijë dollarë secilën.

Lajmi u bë i ditur nga vetë i pari i vendit të enjten e 30 qershorit.

Në median sociale Twitter, ndërsa bashkëngjitur tekstit shfaqi edhe imazhet e 40 blerjeve të realizuara, të cilat arritën në 1.52 milionë dollarë, Bukele shkruante, “Bitcoin është e ardhmja. Faleminderit që e shitët lirë”.

Blerja e fundit e Bitcoin nga El Salvadori ishte në maj, sipas Bukele, kur vendi i Amerikës Qendrore bleu 500 monedha për një total prej 15.3 milionë dollarësh, me një çmim prej 30 mijë e 744 dollarë secila.

Sipas të dhënave të CoinDesk, bazuar te njoftimet e Bukele, El Salvador është 55.03% në humbje me bastin e tij në Bitcoin.

Nga shtatori deri më sot, vendi ka blerë 2 mijë e 301 monedha për një total prej 103.9 milionë dollarësh, por portofoli i tij aktualisht kap vlerën e 46.6 milionë dollarëve.

Në maj, ministri i Financave të El Salvadorit, Alejandro Zelaya, tha se sasia e Bitcoin, që zotëronte vendi në atë kohë, përfaqësonte më pak se 0.5% të buxhetit të tij vjetor, duke shtuar se humbjet e Bitcoin përbënin rrezik “jashtëzakonisht minimal” për pozicionin fiskal të vendit.

Humbjet në Bitcoin

Qeveria e El Salvadorit po kritikohet për bastin që ka vënë presidenti i saj, Nayib Bukele, në Bitcoin, duke blerë më shumë se 2 mijë e 300 të tillë për thesarin e vendit.

Alejandro Zelaya, ministër i Thesarit të El Salvadorit, ka minimizuar humbjen që vendi ka marrë si rezultat i këtyre investimeve, duke thënë se nuk është e rëndësishme në pamjen e përgjithshme.

Alejandro Zelaya, ministër i Thesarit të El Salvadorit

Për këtë çështje, Zelaya tha se ka shumë bujë për “strategjinë tonë Bitcoin. Ata spekulojnë me një humbje të pretenduar prej 40 milionë dollarësh që nuk ka ndodhur, sepse ne nuk i kemi shitur kriptomonedhat, ato nuk janë zhdukur”.

Në një intervistë të mëparshme, Zelaya kishte deklaruar gjithashtu se këto monedha të blera nuk do të shiteshin me humbje dhe se do të prisnin, derisa çmimi të arrinte shifra më të larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore