Lajme

El Salvador/ Ministri hedh poshtë humbjet e investimeve në Bitcoin, i quan raportet e mediave të njëanshme


Alejandro Zelaya, ministri i Thesarit të El Salvadorit, ka kundërshtuar kritikët, sipas të cilëve vendi i tij, nëpërmjet vendimit të presidentit Nayib Bukele, ka humbur sasi të konsiderueshme të ardhurash duke shitur Bitcoin.

Zelaya deklaroi se nuk kishte pasur asnjë humbje, sepse Bitcoin-ët e blerë – rreth 2 mijë e 300 të tillë – nuk janë shitur. Gjithashtu ai e cilësoi mbulimin, që po bëjnë disa media për këtë çështje, si “të njëanshëm”.

Humbjet në Bitcoin

Qeveria e El Salvadorit po kritikohet për bastin që ka vënë presidenti i saj, Nayib Bukele, në Bitcoin, duke blerë më shumë se 2 mijë e 300 të tillë për thesarin e vendit.

Alejandro Zelaya, i cili është ministër i Thesarit të El Salvadorit, ka minimizuar humbjen që vendi ka marrë si rezultat i këtyre investimeve, duke thënë se nuk është e rëndësishme në pamjen e përgjithshme.

Për këtë çështje, Zelaya tha se ka shumë bujë për “strategjinë tonë Bitcoin, ata spekulojnë me një humbje të pretenduar prej 40 milionë dollarësh që nuk ka ndodhur, sepse ne nuk i kemi shitur kriptomonedhat, ato nuk janë zhdukur”.

Në një intervistë të mëparshme, Zelaya kishte deklaruar gjithashtu se këto monedha të blera nuk do të shiteshin me humbje dhe se do të prisnin, derisa çmimi të arrinte shifra më të larta.

Presidenti i El Salvador-it, Nayib Bukele
Mbulimi i njëanshëm mediatik

Ministri i Thesarit i El Salvadorit u ankua për mbulimin mediatik për këtë çështje, duke vënë në dukje se raportet ishin të njëanshme, për shkak të pozicionit që kanë për kriptomonedhat disa media.

Zelaya, madje, përmendi disa media me emër, duke cekur edhe “Deutsche Welle”, e cila kishte shkruar se “El Salvadori po tërhiqet zvarrë nga një rrezik fiskal prej 40 milionë dollarësh”.

“Buxheti ynë i Përgjithshëm i Kombit është pothuajse 8 miliardë dollarë, 40 milionë dollarë nuk përfaqësojnë as 0.5% të buxhetit tonë”, tha ministri i Thesarit.

Megjithatë, për Zelaya-n, kjo është provë se disa prej këtyre mediave kanë armiqësi ndaj Bitcoin-it, gjë që po prek edhe El Salvadorin si vendi i parë që e miratoi atë si valutë ligjore.

Edhe me humbjet aktuale të parealizuara në këtë investim në Bitcoin, vlerësimi, që kanë salvadoranët për presidentin e tyre, është kryesisht i favorshëm, me administratën e Bukeles që fiton më shumë se tetë pikë nga dhjetë në dy sondazhe të fundit të kryera nga universitete të ndryshme kombëtare.

Disa institucione janë të shqetësuara për mungesën e transparencës, në të cilën këto investime po kryhen direkt nga Bukele.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore