Shqipëria

Ekzekutivi i BE-së me propozime të reja për vendet kandidate


Komisioni Evropian së shpejti do të propozojë që BE-ja t’u japë më shumë fonde vendeve që duan të bashkohen dhe t’u ofrojë atyre qasje në tregun e vetëm.

Këto, për të përshpejtuar përgatitjet e tyre për anëtarësim, tha komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia britanike “Reuters”.

Kujtojmë që, tetë vende aktualisht kanë statusin zyrtar të kandidatit për në BE – Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia dhe Ukraina – ndërsa dy, Gjeorgjia dhe Kosova, janë vende kandidate potenciale.

Kryetari i liderëve të Bashkimit Evropian, Charles Michel, ka bërë thirrje që BE-ja të jetë gati për të pranuar anëtarë të rinj dhe që kandidatët të jenë gati për të përmbushur kriteret e hyrjes, deri në vitin 2030.

“Brenda disa javësh do të na shihni duke paraqitur një mënyrë të re të të menduarit për zgjerimin dhe një paketë që tani do të përfshijë 10 vende kandidate ose vende me perspektivë evropiane”, tha Varhelyi në një konferencë shtypi.

“Në atë raport ne jo vetëm që duam të ecim përpara, por duam të sigurojmë mjetet për një integrim të përshpejtuar”, tha ai pas një takimi në Spanjë të ministrave të BE-së, të cilët debatuan se si BE-ja duhet të përgatitet për pranimin e anëtarëve të rinj.

Varhelyi u shpreh se BE-ja do të kërkojë të ndihmojë kandidatët të përgatiten më shpejt për anëtarësimin në Union përmes një plani rritjeje për Ballkanin Perëndimor për të reduktuar “hendekun ekonomik dhe social” midis këtyre vendeve dhe pjesës tjetër të BE-së përpara pranimit.

Sipas skemës, vendet gradualisht do të kenë qasje në tregun e vetëm të BE-së prej 450 milionë konsumatorësh, ku mallrat, shërbimet, puna dhe kapitali mund të lëvizin lirshëm, edhe para se të bëhen anëtarë të plotë të BE-së.

“Ne duam të krijojmë mundësinë për t’i integruar gradualisht këto vende në tregun e vetëm, në katër liritë, tashmë para anëtarësimit, sepse kjo do të jetë në të mirë të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate”, shtoi Varhelyi.

Zyrtari evropian vërejti se propozimi i KE-së do të kërkonte gjithashtu më shumë fonde të BE-së për kandidatët për të ndihmuar në përshpejtimin e reformave të nevojshme për t’u bashkuar me bllokun tashmë 27-vendesh. Shumat e mundshme nuk u specifikuan, raporton “Reuters”.

Fondet do të vijnë në krye të ndihmës ekzistuese të BE-së për vendet kandidate, e cila në buxhetin e BE-së 2021-2027 arrin në 14.2 miliardë euro.

Masat do të tregonin se BE-ja është gati për të mirëpritur anëtarët e rinj dhe për të vënë barrën mbi vendet kandidate për të përdorur plotësisht këto mundësi, ravijëzoi Varhelyi.

Ministrat evropianë janë dakord që BE-ja duhet të forcohet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore