Frika e largimit të kuadrove për punë dhe mundësi jashtë Kosovës posa të mundësohet udhëtimi pa viza, po del të jetë me bazë në shumë prej sektorëve të ekonomisë në Kosovë, por jo vetëm.
Për vetëm 15 ditët e para, një numër i madh i infermierëve, punonjësve të arsimit dhe punonjësve të sektorit privat tashmë kanë ecur jashtë Kosovës për të eksploruar mundësitë.
Vetëm në ditët e para të muajit janar, në media u raportua për largimin e 20 infermierëve nga Kosova, profesion ky që veçse është deficitar.
Nga Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK), pyetur nga Albanian Post, thanë se s’mund ta konfirmojnë numrin e saktë, meqë akoma s’i kanë të dhënat e plota, por konfirmuan se bëhet fjalë për një shifër të përafërt me atë që doli në media.
“Shumë shqetësim i madh është ky”, tha Nexhmije Gori, kryetare e kësaj Ode, në një bisedë për AP-në, derisa shtoi se ka frikë që numri do të rritet akoma më shumë ditët e ardhshme.
Infermierët edhe ashtu ishin të kërkuar shumë në vende si Gjermania, që ka mungesë në këtë sektor, prandaj s’është fare e befasishme që këtë kërkesë ta takojnë infermierët me paga të vogla e kushte të rënda të Kosovës.
“Vite të tëra është dashur të shkollohen e tashmë po mbesim pa ta”, tha Gori e brengosur.
Efekti i parë negativ dhe i menjëhershëm do të jetë rënia e kualitetit të shërbimeve, shpjegoi Gori.
Më pak infermierë, për kaq shumë pacientë, do të thotë lodhje më e madhe me rezultat më të dobët.
“Kryekëput financiare”, tha Gori, e pyetur për arsyen e largimit nga Kosova të infermierëve.
“Por, edhe cilësia më e mirë e jetesës në vendin ku emigrojnë, siguria dhe kushtet më të mira të punës në vendet ku shpërngulen”.
Infermierët janë veç një lloji nga kaq shumë profesionistë të fushave të ndryshme që po kapin perspektivën e të punuarit jashtë, sidomos tash kur paraprakisht mund të udhëtojnë drejte shteteve të tjera për të parë nga afër vendet e reja potenciale të punës.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, përkundër se e kishte pritur që të ketë njëfarë largimi pas liberalizimit të vizave, thotë të jetë zënë krejtësisht në befasi, kur pa numrat e ditëv të para.
“Realisht janë shumë më shumë se që kam pritur, përkundër se prisja një numër të largohej”, thotë ai në prononcim për Albanian Post.
“Numri është jashtëzakonisht i madh alarmon ai”, duke njohur pafuqinë e tij, apo të sindikatës që udhëheqë që t’ua thyejë mendjen për të kundërtën punëtorëve që tash e sa kohë i kanë parë premtimet të rriten, por jo edhe rrogat.
“Pjesa më e madhe e kompanive në nivel të Kosovës, kanë mungesë të punëtorëve dhe do të vazhdoj të rritet numri i tyre”, siguron Azemi me kompetencë.
Nga sa ka parë ai, largimi kaq i madh i punëtorëve nuk ndodh në vendet e tjera të rajonit, ashtu siç po ndodh në Kosovë.
I gjithë ky eksod profesionistësh po ndodhë në sy të institucioneve, të cilat, siç e ka parë Azemi, s’po interesohen fare të bëjnë ndonjë ndërhyrje shpëtuese.
“Mirë do të ishte që dikush të jepte përgjegjësi lidhur me këtë”, thotë ai, në prag revoltimi.
Kërkon edhe “llogari, po të kishte drejtësi”.
“Dikush duhet të jap llogari”, përsëritë.
Një nga sektorët më të prekur rezulton të jetë arsimi.
Ata madje e panë trendin qysh para se të liberalizohen vizat, kur mbi 300 mësimdhënës në prag të vitit të ri morën pushime pa pagesë për kohë të gjata.
Qartësisht për të provuar një herë fatin në perëndim.
Kjo kërkesa e përnjëhershme e këtyre punëtorëve të arsimit për të eksploruar mundësitë e tyre jashtë Kosovës mund ta godas arsimin më keq se çkado tjetër më parë.
“Shifrat e sakta i posedojnë drejtoritë e arsimit, por nga shifrat që i kemi ne, janë rreth 300 punëtorë të arsimit që kanë kërkuar pushim pa pagesë një vjet”, ka konfirmuar për Albanian Post, Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit dhe Shkencës dhe Kulturës.
Kur një mësimdhënës kërkon të drejtën e pushimit vjetor pa pagesë, kjo i mundëson atij largimin për një vit pa e rrezikuar vendin e punës.
Mundësia e tillë përbën shans të mirë për ta që të hulumtojnë tregun jashtë Kosovës pa humbur mundësinë e rikthimit si arsimtar në Kosovë.
“Ajo që na shqetëson është se mbase këta 300 kanë kërkuar pushim një vit për t’u larguar nga sistemi arsimor, qoftë për t’u punësuar diku brenda Kosovës apo qoftë për të shkuar diku jashtë vendit për shkak të liberalizimit të vizave”, thotë Rrahmani, duke shprehur shqetësimin se numri mund të rritet e të shumëfishohet.
Ai i frikësohet akoma më shumë një fakti tjetër.
Çka nëse këta që largohen, akomodohen në shtete të tjera dhe largimi i tyre përbën storie suksesi për ta?
Ato tregime të rehatisë jashtë Kosove do t’u përcillen kolegëve të tyre në Kosovë dhe dëshira e të mbeturve për të replikuar suksesin e të shkuarve do ta kolapsonte fare sistemin arsimor.
“E keqja më e madhe që mund të ndodh është që kolegët të cilët i kanë këtu mund të vazhdojnë rrugëtimin e tyre duke komunikuar me këta mësimdhënës që janë larguar dhe numri i tyre mund të shtohet”, shqetësohet Rrahmani.
Halli i mësimdhënësve që po e përdorin strategjinë e largimit të përkohshëm për zbulim të mundësive jashtë sistemit arsimor e jashtë Kosovës është te fakti që nuk shohin perspektivë.
Gjendja s’është keq veç tani, ajo s’pritet të bëhet më e mirë as në të ardhmen dyshojnë ata.
Sidomos kur kanë parë se koeficienti për pagat i miratuar me buxhetin e ri është rritur vetëm pesë euro, çka do të nënkuptonte një rritje mesatare të pagës për vetëm 25 euro.
Në kontekst të situatës me gjithë këtë inflacion, kjo në fakt nënkupton ulje të pagës.
“S’kemi qenë të kënaqur me Ligjin e Pagave”, thekson Rrahmani, “por Qeveria vendosi të mos na dëgjojë as neve dhe as deputetët”.
Prandaj, “në janar rritja me koeficientin 110 nuk është më shumë sesa 25 euro”, konfirmon.
Por, të larguarit mund të zëvendësohen me të tjerë, apo jo?
“Jo”, thotë Rrahmani.
“Qeveria Kurti duhet ta dijë që këta njerëz nuk mund t’i zëvendësojmë menjëherë nëse largohen nga vendi”.
Por, shqetësimi i tij kryesor nuk mbesin këtë 300 veta.
Ai thotë se “në SBASHK ekziston frika se numri 300 mund të jetë vetëm një numër fillestar”.
Dyshimet janë se të tillë do të jenë mijëra.
Albanian Post, ka dërguar pyetje edhe në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, për numrin e personave që kanë udhëtuar jashtë Kosovës në këtë afat kohore 15 ditorë, por që deri në publikimin e këtij artikulli s’ka pranuar përgjigje.
Edhe në prezantimin e Raportit të Institutit GAP “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”, ka rezultuar se nga 1 mijë qytetarë të anketuar, 28 për qind e tyre planifikojnë të emigrojnë në Zonën Schengen, kjo pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.
Papunësia, pagat e ulëta, shkollimi i dobët, çmimet e larta, mosvlerësimi i duhur këto ishin vetëm disa nga arsyetimet kur qytetarët pyeteshin përse po largohen.
Të njëjtat arsyetime vazhdojnë edhe sot.
Përveç lumturisë, pas 12 vjetësh që ndodhi liberalizimi i vizave, ky moment historik padyshim se do të sjellë edhe një frymë të re me ndryshime në Kosovë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë