Gjykata Speciale

Ekipi i Thaçit i dërgon letër zyrtare Kurtit, Konjufcës e Haxhiut: Kërkon urgjentisht mbështetje më të madhe financiare


Hashim Thaçi

Kryeministrit Albin Kurti, Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca dhe Ministres së Drejtësisë, më 12 gusht i është dërguar një kërkesë për mbështetje financiare për nevojat e mbrojtjes juridike të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë, pasi që po akuzohet nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Kërkesa është bërë nga ish-këshilltari i Thaçit, Ismail Syla, aktualisht Kryetar i Bordit të Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit, në një kohë kur avokatët kryesorë të ish-presidentit dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, janë tërhequr nga mbrojtja e tyre për shkak të mjeteve financiare.

“Duke shprehur konsideratë për Ju dhe funksionet institucionale që i ushtroni, përmes kësaj letre, në emër të Fondacionit ‘Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit’, po ju shkruajmë për t’ju vënë në dijeni me sfidat e mëdha financiare nëpër të cilat po kalon ekipi mbrojtës i ish- Presidentit Thaçi, në procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar për gati katër vite nga Dhomat e Specializuara në Hagë, si dhe për t’ju kërkuar mbështetje institucionale të karakterit financiar në mënyrë që të tejkalohen këto sfida dhe në këtë proces gjyqësor të sigurohet së paku, minimumi i të drejtës kushtetuese dhe ligjore për qasje efektive në drejtësi”, thuhet fillimisht në këtë kërkesë.

Aty theksohet se vendosja e kufizimeve të shpenzimeve për qëllime të mbrojtjes juridike e bërë përmes Udhëzimit Administrativ MD-NR.01/2024 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ MD – Nr.08/2022 për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore nga Dhomat e Specializuara, ekipin mbrojtjes të ish-Presidentit Thaçi e ka vënë në situatë të pamundësisë objektive për të kryer funksionin e tij.

Kjo sepse, siç sqarohet aty, në mungesë të mjeteve financiare jo vetëm që i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë, por edhe aktualisht avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme respektivisht nga fillimi i fazës së gjykimit pas pushimeve verore, përkatësisht nga fundi i këtij muaji.

Në këtë mënyrë, ata kanë ngritur shqetësimin se kjo do të kishte për pasojë jo vetëm penalizimin e ekipit mbrojtës të Thaçit, por do ta pezullonte apo shtyente vetë procesin gjyqësor edhe për sa paku gjashtë muaj shtesë, deri në zëvendësimin e tij me një avokat tjetër, të cilit do t’i duhej kohë e konsiderueshme për t’u njohur me rrethanat e rastit dhe procedurën gjyqësore katërvjeçare që është duke u zhvilluar.

Prandaj, si Fondacion të gjendur në rrethana të pamundësisë për t’i ofruar mbështetje financiare për nevojat financiare të ekipit mbrojtës të Thaçit, e kanë vlerësuar si urgjente dhe të domosdoshme një mbështetje financiare shtesë në mënyrë që të sigurohet vijimi i mbrojtjes efektive për ish Presidentin Thaçi në procesin gjyqësor ndaj tij.

“Nga ana tjetër, Fondacioni, përkundër se është themeluar pikërisht për të ofruar një burim alternativ të mbështetjes financiare me qëllim të lehtësimit të barrës financiare të buxhetit publik përkitazi më këtë proces, nuk ka arritur të siguroj fonde të mjaftueshme të cilat do të bënin të panevojshëm dhe të pa objekt këtë kërkesë”.

Fondacioni konsideron se përmes mbështetjes financiare shtesë nga institucionet kompetente të Kosovës, do të mundësohet edhe qasja efektive në drejtësi, respektivsht në garancionet që derivojnë prej saj, e të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen, edhe në të drejtën për t’u mbrojtur nga mbrojtës të zgjedhur me vullnet të lirë pa iu nënshtruar asnjë kufizimi.

Po ashtu, nga ky Fondacion kanë sqaruar se kjo do të mundësonte edhe realizimin efektiv të të drejtës për një proces të rregullt (nga neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe neni 31 i Kushtetutës) element konstituiv i të cilës është edhe zbatimi i parimit të “barazisë së armëve”, që nënkupton vënjen në ekuilibër të drejtë të palëve në procedurë.

Rrjedhimisht, pamundësia financiare për t’a mbrojtur në mënyrë efikase çështjen para Dhomave të Specializuara, jo vetëm ish – Presidentin Thaçi, por edhe cilindo person të akuzuar, kanë potencuar ata, do ta vendosë në pozitë të pabarabartë në raport me Zyrën e Prokurorit të Specializuar e cila ka buxhet pakrahasimisht më të madh për kryerjen e funksioneve të saj.

“Përveç si më sipër, duke marrë për bazë edhe natyrën e akuzave me të cilat përballen ish – krerët e UÇK-së (përfshirë z. Thaçi) dhe pa paragjykuar procesin gjyqësor i cili është duke u zhvilluar aktualisht, përtej çdo dyshimi, mund të konstatohet lehtësisht se mbështetja financiare e mbrojtjes juridike të tyre nuk është thjeshtë dhe vetëm e karakterit personal, por mbi të gjitha, është një betejë juridike në të cilën është duke u mbrojtur legjitimiteti i luftës heroike e çlirimtare të UÇK- së si dhe integriteti i kauzës së drejtë të kësaj lufte, si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë së popullit të Kosovës”.

Për fund, përveç arsyeve të lartshënuara, Fondacioni beson se ndarja e mjeteve financiare të kërkuara, në instancë të fundit i shërben vetëm drejtësisë, respektivisht mundësive efektive për të mbrojtur integritetin e kauzës së drejtë të luftës së UÇK-së përballë tendencave për të vendosur paralele midis aktivitetit çlirimtar të kësaj organizate dhe krimeve të pashembullta të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të Serbisë para dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.

“Me shpresën se kërkesa do të shqyrtohet me seriozitetin dhe urgjencën që e meriton, ju falënderojmë paraprakisht për mirëkuptimin Tuaj dhe shprehim gatishmërinë tonë të plotë për t’ju ofruar informatat e nevojshme në lidhje me kontratën e avokatit në fjalë dhe obligimet përkatëse ndaj tij”, përfundon kërkesa.

Çka ndodhi?

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, dy nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në procesin e gjykimit në Gjykatën Speciale me seli në Hagë të Holandës, ku po përballen akuzat për krime të pretenduara lufte, kanë mbetur pa avokatët kryesorë të tyre.

Për të dy këto raste është raportuar se shkak i largimit të avokatëve kryesorë të ish-Presidentit të Kosovës dhe ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës kanë qenë mjetet financiare, pra mungesa e tyre.

Fillimisht, nga ekipi i mbrojtës i ish-Drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ishte larguar avokati Gregory Kehoe, në janar të këtij viti.

Lajmi ishte konfirmuar në një deklaratë që e kishin lëshuar Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, ‘Associates Greenbuerg Legal’ dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe Thaçi i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimin nëse nuk u përmbushet detyrimi”.

Por, familjarë të Thaçit kishin treguar për mediat se avokati Gregory Kehoe ishte njoftuar për mosvijimin e kontratës në vitin 2024 dhe se mbrojtjen do ta bënte avokati kroat Luka Misetiç.

Lidhur me këtë rast, Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate për media, njoftonte se është përgjegjëse vetëm për pagesën ndaj avokatit kroat Luka Mishetiç dhe jo ndaj avokatëve tjerë të angazhuar në mënyrë private nga ish-krerët e UÇK-së.

Gregory Kehoe dhe Joe Reeder, avokatët e Thaçit, të cilët u tërhoqën nga ekipi i mbrojtjes për shkak të mosrealizimit të pagesave, nuk janë paguar ngase ata dhe kompania “Greenberg Legal Associates” nuk kanë pasur asnjëherë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.

Disa muaj pas tërheqjes së avokatit kryesor të Thaçit, u njoftua edhe largimi nga mbrojtja edhe i avokatit kryesor të Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Kjo u konfirmua të mërkurën nga Gjykata Speciale, e cila njoftoi se e ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emmerson, për tërheqje nga ekipi i mbrojtjes së Veselit.

“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emmerson”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).

Aty theksohet se Veseli dhe Emmerson u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore