Gjykata Speciale

Edhe një viktimë pranohet të jetë pjesë e procesit gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së


Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe një viktimë tjetër është pranuar që të marr pjesë në procesin gjyqësorë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në total numri i viktimave në këtë çështje ka arritur 141.

Lajmi është bërë i ditur përmes faqes së DhSK-së, ku është thënë se trupi gjykues ka nxjerr vendimin e shtatë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

‘‘Një parashtrues i kërkesës u pranua si viktimë pjesëmarrëse në proces gjyqësor dhe do t’i shtohet grupit ekzistues të viktimave në këtë çështje (grupi 1 i cili numëronte 140 viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohet nga i njëjti mbrojtës i viktimave’’, thuhet tutje një njoftim.

Ndërsa është potencuar se në vendimin e tij trupi gjykues ka theksuar se afati për paraqitjen e kërkesave për pranimin e viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje ka skaduar më 15 shkurt 2023.

Megjithatë kjo është arsyetuar duke thënë se ekziston një arsye e vlefshme për të marrë parasysh informacione shtesë, ka vendosur të rivlerësojë këtë kërkesë të ridorëzuar nga një parashtrues i refuzuar më herët.

‘‘Bashkë me të, numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 141’’, thuhet në njoftim.

Gjykata Speciale.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore