Shqipëria

E diela e parë e çdo muaji, pa makina


Nga e diela e 3 prillit, çdo e diel e parë e të gjithë muajve, do të jetë një ditë e dedikuar pa makina në qytetet kryesore të vendit, ku ka edhe ndotje më të madhe nga mjetet e qarkullimit rrugor.

Lajmërimin e ka dhënë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Praktikisht, logjika e çështjes është që e diela e parë e çdo muaji në Shqipëri, të jetë pa automjete në 12 qytetet kryesore të çdo qarku, e më pas duke u shtrirë në të gjithë Shqipërinë.

“Nëse nuk e fikim dot automjetin gjatë gjithë kohës, të paktën ta bëjmë ditëve të pushimit dhe të përdorim biçikletën a ecjen në këmbë”, shkruan ndërkaq kryeministri Edi Rama, në mesazhin e ministres së shpërndarë në Facebook.

Qëllimi për këtë nismë, është reduktimi i shkarkimit të gazrave që ndotin ajrin e qytetit.

Për Kumbaron, ka një plan të tërë kombëtar, pikërisht për të pakësuar emetimet e dyoksidit të karbonit dhe për të përmirësuar shëndetin e qytetarëve.

Por, kjo do të jetë edhe një mundësi për të kursyer sadopak, pas rritjes së çmimeve të karburanteve, si pasojë e krizës që ka sjellë lufta në Ukrainë.

Ndaj, qarkullimi i automjeteve duhet pakësuar.

Tirana e ka eksperimentuar këtë lloj platforme edhe më parë gjatë fundjavave, ku ka rezultuar si një nismë e suksesshme.

“Këto janë angazhime konkrete, për t’u lënë fëmijëve tanë një mjedis më të shëndetshëm”, theksoi në përmbyllje Kumbaro.

Ndërsa, mbi planin real për të zhvilluar projektin në gjithë qytetet shqiptare, ende nuk ka një vendim të qartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore