Dyshohet se dëmtoi buxhetin e Malit të Zi mbi 2 milionë euro – biznesmeni Naser Ramaj “ka borxh mijëra euro në ATK”
Gjykata Themelore në Kotorr, të shtunën, i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak biznesmenit kosovar i arrestuar në Mal të Zi, Naser Ramaj, i cili dyshohet se ka shmangur taksat dhe me këtë ka dëmtuar buxhetin e shtetit mbi 2 milionë euro.
Përveç arrestit shtëpiak, gjyqtari ka urdhëruar që Ramajt t’i konfiskohet edhe pasaporta. Ramaj qenë kryetar i klubit futbollistik “Feronikeli” nga Drenasi deri në vitin 2021 nga ku ishte larguar duke e lënë klubin me shumë borxhe.
Rreth 700 mijë euro ishte shuma e obligimeve të pashlyera nga kryesia në largim e ish-kampionit të Kosovës në futboll, Feronikelit.
Pos ndaj lojtarëve dhe trajnerëve, klubi nga Drenasi borxh kishte edhe ndaj shtetit, përkatësisht Administratës Tatimore të Kosovës, merr vesh Albanian Post nga burime brenda klubit.
Por, siç kupton AP, me afrimin e bizneseve të ri në klub janë shlyer borxhet ndaj futbollistëve, por jo edhe ndaj ATK-së.
“700 mijë euro borxhe janë paguar nga kryesia e re, por Naser Ramaj ka ende borxhe në ATK, diku rreth 100 mijë euro”, thotë një burim për AP.
Gjithë këto borxhe ishin mbledhur prej 2019-tës, vit kur Feronikeli fitoi titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Biznesmeni i njohur në Mal të Zi ishte larguar në vitin 2021 nga ‘Industrialistët’ pas thuajse katër viteve qëndrim në postin e presidentit dhe donatorit kryesor të klubit nga Drenasi.
Ramaj, njihet për investimet e tij në ndërtimin e komplekseve banesore, madje në vitin 2017 ishte taksapaguesi më i madh dhe për këtë pati marrë edhe mirënjohje nga komuna e Budvës.
Përkundër borxhit në ATK e dyshimeve për shmangie nga tatimi, Ramaj shpesh herë ka qenë edhe në ballinat e gazetave malazeze si biznesmen serioz dhe i suksesshëm.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë