Në Shqipëri janë aktualisht aktive dy vatra zjarri, në Dropull dhe Delvinë.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka shkuar në terren për të inspektuar nga afër ndërhyrjet e zjarrfikësve dhe emergjencave civile, ku po luftohet prej ditësh me flakët.
“Ky është për nga sipërfaqja, ndoshta zjarri më i madh që kemi pasur në shumë vite, i favorizuar për shkak të terrenit, por edhe erës, e cila ka bërë shpërndarjen e këtij zjarri në një gjatësi tepër të madhe duke përfshirë pothuajse 3 bashki deri në momentin që flasim”, ka bërë me dije Balla.
Por, sipas tij, era që fillon pasdite, dhe gjatë natës, do të vazhdojë të mbajë aktive disa prej vatrave të këtij zjarri.
Për izolimin e flakëve, sipas ministrit, janë përfshirë të gjitha strukturat, jo vetëm të shërbimit zjarrfikës të nivelit të bashkive, por edhe të bashkive të tjera që kanë ardhur në ndihmë, nga qarku i Vlorës, Fieri.
E që janë bërë gati të nisen edhe nga Berati dhe Tirana.
“Do të kemi forca zjarrfikëse, të cilat do të vazhdojnë të jenë pjesë e këtij mekanizmi të përbashkët ku përfshihet natyrisht edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe pa harruar për asnjë moment, forcën që vjen nga FA-të”, ka vijuar ministri.
Ai ka bërë me dije se ka pasur disa ndërhyrje me helikopter, po ashtu edhe me dy avionë Canadair, të vëna në dispozicion nga qeveria greke.
“Jemi në kontakt me qendrën e Mekanizmit Evropian të Solidaritetit, përmes të cilit duam të vazhdojmë luftën edhe nga ajri sepse sikurse e keni parë është pothuajse e pamundur që të ndërhyrjet në një pjesë të madhe të vatrave ekzistuese të zjarrit, sikurse e shikoni p.sh atje ne, forcat e ushtrisë dhe ato të shërbimit zjarrfikës e kanë të pamundur, helikopterët e ushtrisë të Forcave tona të Armatosura do të vijojnë të bëjnë fluturimet për fikjen e zjarrit dhe ndërkohë që siç ju thash do të kërkojmë edhe mbështetjen e këtij mekanizmi evropian”, ka shtuar ministri.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes ka bërë një rezyme të situatës me zjarret në vend në 24 orët e fundit.
Bëhet me dije se janë raportuar 23 vatra zjarri në 24 orët e fundit.
“Në 24 orët e fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 21 janë shuar falë punës së pandërprerë të forcave të emergjencave civile. Aktualisht, mbeten aktive vetëm dy vatra: një në vendin e quajtur Agjioneri, në bashkinë Delvinë, ku po punohet intensivisht për izolimin e plotë të zjarrit, dhe një tjetër në bashkinë Dropull, ku situata është më e qetë, por puna vijon për të shmangur çdo rrezik përhapjeje”.
Teksa po punohet nga ana e forcave zjarrfikëse, ka pasur ndihma nga toka e ajri e nga ushtria për të vënë nën kontroll zjarret.
Në dispozicion ka qenë edhe një helikopter, po ashtu 464 forca zjarrfikëse.
“Falënderojmë për angazhimin maksimal 464 efektivë zjarrfikës, dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe të shërbimit pyjor, si dhe forcat vullnetare, të cilët me mjete, ndihmuar edhe nga helikopteri #Cougar dhe 2 #Canadair të ofruara nga Greqia punuan me përkushtim për të shuar flakët në temperatura të papërshtatshme”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore